Bordi i KOSTT-it për gjashtë muaj mori paga në mënyrë të kundërligjshme

Bordi i KOSTT-it për gjashtë muaj mori paga në mënyrë të kundërligjshme

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka anuluar të gjitha shtesat financiare që Bordi i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ndante për vete.

Anëtarët e Bordit të kësaj ndërmarrjeje publike merrnin pagë nga 1 350 euro deri në 1 550 euro në muaj, dhe mbi këtë pagë ndanin shtesa tjera për secilin takim që mbanin si Bord. Shtesat mbërrinin në dhjetëra mijëra euro në vit.

Gani Jashari nga KOSTT ka raportuar sot në Komisionin për Buxhet dhe Financa, lidhur me raportin vjetor financiar.

Gjatë shqyrtimit të këtij raporti, anëtarët e Komisionit vlerësuan se Bordin e kësaj ndërmarrjeje gjatë punës së tij, e kanë përcjellë një varg parregullsish.

Bordi kishte marrë vendim që për çdo mbledhje anëtarët të paguheshin nga 90 euro. Madje ata kanë marrë vendim që t’ia ngritin pagën vetës në mënyrë të kundërligjshëm, gjashtë muaj para hyrjes në fuqi të vendimit.

Abdixhiku kërkoi sqarim nga bordi përse ata kanë rritur vëllimin e mbledhjeve pasi kanë marrë vendim që për çdo mbledhje të bordit kanë caktuar 90 euro pagesë për mbledhje.

Gjithashtu Abdixhiku kërkoi sqarim nga ky bord se përse KOSTT-i ka vendosur të rrisë pagat nga gushti i vitit të kaluar kur kuvendi ka marrë vendim për rritjen e pagave të KOSTT-it nga dhjetori.

Kjo ishte e papranueshme për kryetarin e komisionit Lumir Abdixhiku, i cili tha se bordi do të duhej që menjëherë të tërheqin këtë vendim pasi sipas tij, pagat që marrin bordi janë të mjaftueshme.

Ai tha se bordi duhet të heqë dorë nga shtesa për mbledhje. Sipas kryetarit Abdixhiku dhe anëtarit Naser Osmani ekzekutimi i pagave nga gushti është i jashtëligjshëm.

Enver Hoti, deputet i Nisma Socialdemokrate, tha se nuk do ta mbështesë këtë raport derisa tha se as grupi i tij parlamentar nuk beson se do ta mbështesë kur ai të vijë në seancë.

Bazuar në këtë, Komisioni vendosi që këtë raport ta procedojë për shqyrtim në seancë plenare të Kuvendit, por, pa ndonjë rekomandim për miratimin e tij.

Në vijim të mbledhjes, janë shqyrtuar edhe raportet me amendamente nga aspekti financiar i këtyre projektligjeve: Projektligjit për Infrastrukturën Kritike, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin, Projektligjin për Shoqëritë Tregtare, si dhe amendamentet lidhur me Projektligjin mbi Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0