BIK-u tash tallet me rastin e qytetarit që e shiti viçin për ta varrosur nënën

BIK-u tash tallet me rastin e qytetarit që e shiti viçin për ta varrosur nënën

Vendimin e një hoxhe për të mos pranuar që ta varrosë një qytetare të Vushtrrisë me rite fetare, vetëm pse familja e saj nuk kishte arritur të paguante anëtarësimin si pasojë e kushteve të rënda ekonomike, Ahmet Sadriu, nga Bashkësia Islame e Kosovës, është munduar ta arsyetojë në një mënyrë mjaft të çuditshme duke thënë se gazetari i cili ka raportuar për rastin ka lidhje familjare me Sabri Beqirin.

“Ata të Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri kanë me dhënë një komunikatë edhe ata do ta sqarojnë këtë, rasti ka ndodhë tek ata edhe ata e sqarojë këtë, mirëpo një po du me ju tregu se Besart Gagica me qatë djalin janë tezak, tezak e ka”, ka thënë Sadriu për Insajderin.

Bashkësia Islame në Vushtrri e detyroi Sabri Beqirin, i cili jeton me asistencë sociale, të paguajë për anëtarësi shumën prej 417 eurove, në mënyrë që nënën e tij ta varrosë sipas ritit islam.

“Unë thashë nuk po di çka me bo, thashë ajo duhet me u varros, për me u kry këto procedura. Më tha a ke pagu anëtarësi najherë, i thashë jo kurrë se nuk kam pasë mundësi, më tha nuk janë pare shumë. I thashë i di ato krejt, po jeni kundra fesë, tha jo valla nuk bon”, kishte thënë Beqiri.

Ai ka treguar se viçin dy muajsh e ka shitur në shumë prej 392 eurosh.

“Edhe u dashtë me shitë viçin, ditë e xhuma u kanë, ditë tregu e bagëtive, shkumë e shitëm viçin, dy muj i ka pasë, me killa e kena shit, pare aty bojshin 392 euro, qato pare i kisha veç”, ka treguar Beqiri.

Nga ana tjetër, ka reaguar edhe gazetari Galica.

“Tash BIK-u po më thonë që unë e paskam tezak Sabri Beqirin! Këta përnjëmend nuk qenkan në tokë të bukës”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë, ka reaguar edhe profesori Hysaj, i cili thotë se nuk e dëshiron një vdekje të tillë ku do të detyrohet që të shesë pasurinë, vetëm për ta varrosur një familjar të vdekur sipas riteve fetare.

“417 euro Bashkësia Islame e detyron një fukara me e pagu për t’ia varros nënën dhe ai i shkreti detyrohet me e shit viqin për me e përcjellë nënën arabisht në botën tjetër! Nëse dëshironi një vdekje si kjo, ja çfarë do të keni! Unë jo!”, ka shkruar regjisori Hysaj.

E kreu i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se Komuna të cilën udhëheq mbulon shpenzimet e riteve të varrimit, dhe thotë se të gjitha rastet sociale janë të liruara nga të gjitha pagesat në Komunë. Megjithatë, nuk ka pranuar të komentojë çështjen e pagesës së anëtarësisë së BIK-ut, pasi, sipas tij, janë dy çështje të ndryshme.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0