Beqiri: Partitë të mos na lodhin me ftesa, shkojmë vetë në zgjedhje

Beqiri: Partitë të mos na lodhin me ftesa, shkojmë vetë në zgjedhje

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka theksuar se LDK-ja në asnjë variant nuk do të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës

“Ne e kemi thënë qartë se nuk do të hyjmë në koalicion me PDK-në. Ne duam vetëm zgjedhje dhe se ato janë zgjidhja e vetme”.

“Kryesia e LDK-së edhe para disa ditësh ka dhënë qëndrimin e saj të vetëm dhe të qartë, se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje e pranueshme për ne. Çdo gjë tjetër është spekulim dhe e papranueshme për ne. Ky qëndrim yni ka një kohë të gjatë, ka mbi 1 vit, që është i tillë, zgjedhjet e parakohshme e vetmja zgjidhje që ne pranojmë. Askush nga ne nuk e ka as vullnetin, as të drejtën të bëjë diçka tjetër. Kjo Qeveri,ky Kuvend kaherë është dashur të largohen dhe te shkohet në zgjedhje të reja”.

Beqiri duke e komentuar atë që po qarkullon në opinion publik se PDK-ja i ka bërë ofertë LDK-së, për qeveri të re pa zgjedhje, ai është përgjigjur duke thënë “As mos të lodhen me na çu ftesa, sepse nuk do të pranojmë asgjë përpos zgjedhjeve”.

Sekretari i LDK-së ka folur edhe për mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka theksuar se ende nuk ka asgjë konkrete për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor ndërmjet dy partive opozitare.

Derisa në opinion publik ka filluar të flitet se Partia Demokratike e Kosovës i ka dërguar një ofertë Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin e një qeveri të re- teknike, nga partia e Veselit e mohojnë një gjë të tillë.Është shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ai i cili ka theksuar për Gazetën Blic se nuk i kanë dërguar askujt kurrfarë ftese.

“Kurrfarë oferte nuk i kemi dërguar askujt”, ka theksuar Memli Krasniqi në një prononcim për Gazeta Blic.

Ai ka theksuar se PDK është duke u përgatitur për zgjedhje të reja, dhe se sipas tij, sa më parë që ato do të mbahen, do të jetë më mirë.

“Fokusi i PDK-së është tek përgatitja për zgjedhje, të cilat mendojmë se duhet të mbahen sa më parë të jetë e mundur”, tha ai për Gazeta Blic.

Në anën tjetër, para pak minutash në media është publikuar një fotografi, ku nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri shihet në një takim me deputetin e PSD-së, Dardan Molliqaj.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0