Austria do t’ia dhurojë Ballkanit Perëndimor 651.000 vaksina Pfizer

Austria do t’ia dhurojë Ballkanit Perëndimor 651.000 vaksina Pfizer

Austria tha të martën se po planifikon të ndajë 651.000 doza të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech” për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e një skeme të Bashkimit Evropian për t’u ofruar asistencë vendeve fqinje dhe Afrikës. Këto vaksina pritet të vijnë më së largu në muajin gusht.

Komisioni Evropian e vuri në pah planin për mekanizmin e ndarjes së vaksinave në janar të këtij viti. Austria tha se do të shërbejë si koordinatore e këtij mekanizmi për Ballkanin Perëndimor dhe se dërgesa e parë e dozave mund të pasohet nga dërgesa të tjera, shkruan Reuters.

Serbia e ka një prej shkallëve më të larta të vaksinimit në Evropë, por katër shtetet tjera që s’janë anëtare të BE-së nga ish-Jugosllavia dhe Shqipëria kanë pasur më pak sukses në këtë drejtim. Në Bosnjë, mungesa e vaksinave ka çuar në protesta.

“Me këtë nismë po tregojmë se nuk po e lëmë prapa këtë rajon”, tha ministri austriak i Punëve të Jashtme, Alexander Schallenberg. Vendi i tij ka raporte të ngushta me vendet e Ballkanit Perëndimor.Reklamë

Ministria e Jashtme e këtij shteti tha se autoritetet austriake i kanë negociuar marrëveshjet mes kompanive “Pfizer” e “BioNTech” dhe shteteve pranuese. Austria do të ofrojë financim ndërmjetësues prej 11 milionë eurosh, ndonëse dozat do të paguhen nga fondet e BE-së për vendet kandidate për anëtarësim.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0