Abazi për homazhet te varret e Rugovës dhe Demaçit: U bëmë bashkë për Republikën

Abazi për homazhet te varret e Rugovës dhe Demaçit: U bëmë bashkë për Republikën

Zëvendëskryeministri Haki Abazi, ka bërë një përmbledhje nga festimi i 12-vjetorit të Pavarësisë. Ai ka shkruar për vizitat që dje krerët shtetërorë i bënë pranë varreve të Presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçit, e të rënëve të familjes Jashari.

Kryeministri Albin Kurti dje vizitoi për herë të parë varrin e ish-presidentit Rugova. Zëvendësi i tij, Haki Abazi, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se në Velani nderuan të gjithë kontribuuesit e lirisë.

“Në Velani u bëmë bashkë për qëllimin e madh për të cilin luftuan, dhanë jetën, u sakrifikuan dhe lanë amanet për ta bërë shtetin për ta ruajtur kombin. Edhe Presidenti Rugova edhe heroi- Mandela ynë, Demaçi, kanë dhënë drejtim dhe vizion për të ardhmën dhe qëndrueshmërinë përballë pengesave. Të gjithë Dëshmorët që pushojnë në tokën për të cilën ranë- janë skalitur përjetësisht në historinë e kombit tonë”, ka thënë Abazi.

Postimi i plotë:

Urime edhe sot!

Dje kaluam nje ditë feste, feste e rëndësishme në udhëtimin tonë si komb, përkrah kombeve tjera. Të tjerët janë para nesh, ata bënë shtetin kur ne sikur luftonim njëri tjetrin e Besën u falëm të huajve. Dje ishte ndryshe, Besën njëri tjetrit, për vendin.

Dje, ishte ditë e bukur në të gjitha anët, në Prekaz dielli bënte dritë e shpirtrat e familjes Jashari i jepnin shkëlqimin vendit tonë. Ndëgjohet thirrja për të ruajtur cdo kontribut, secilin moment të luftës së lavdishme të UÇK, bijave dhe bijëve të vendit, heronjëve të historisë dhe patriotëve që nuk u dorëzuan asnjeherë. Lavdi e përjetshme!

Në Velani u bëmë bashkë për qëllimin e madh për të cilin luftuan, dhanë jetën, u sakrifikuan dhe lanë amanet për ta bërë shtetin për ta ruajtur kombin. Edhe Presidenti Rugova edhe heroi- Mandela ynë, Demaçi, kanë dhënë drejtim dhe vizion për të ardhmën dhe qëndrueshmërinë përballë pengesave. Të gjithë Dëshmorët që pushojnë në tokën për të cilën ranë- janë skalitur përjetësisht në historinë e kombit tonë. Lavdi!

Dje, Kuvendi i Republikës rrezatoi vlerë, sinqeritet, unitet, respekt për të gjithë, pa përjashtim.

Dje si çdo ditë, roja e shtetit tonë, ushtria dhe ushtarët tanë na bënë krenarë, të mbrojtur dhe të sigurt. Uniforma është jona!

Dje, u bëmë bashkë për ardhmërinë tonë, për Republikën, për guximin tonë që na duhet për të kryer detyrat e përditshme në realizimin e qëllimeve tona. Dje shteti dhe qytetari ishin bashkë, ashtu do të vazhdojmë!

Falemnderit gjithashtu policisë së Kosovës për sigurinë publike.

Kërkoj falje për ndonjë lëshim që ka mundur të ndodhë dhe të jeni të sigurt që nuk e kemi bërë me qëllim!

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0