Qindra ROSU në veri, Policia apelon për qetësi

Qindra ROSU në veri, Policia apelon për qetësi

Qindra pjestarë të njësitit ROSU të policisë së Kosovës janë vendosur sot në veri të Mitrovicës. Kjo pasi është lajmëruar ardhje e drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Marko Gjuriq ka deklaruar se “askush nuk do të mund ta ndalë vizitën e tij për t’iu drejtuar popullit të tij”.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dje ka lajmëruar së Gjuriq ka kërkuar leje për të vizituar Kosovën, e cila i është refuzuar, dhe se të njejtin do ta arrestojë sapo të hyjë në Kosovë.

Njoftimi i Policisë

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se forcat e shumta të policisë në Jarinje kanë dalë për shkak të ndalimit të hyrjes në Kosovë të zyrtarëve serbë Aleksandër Vulin dhe Marko Gjuriq.

“Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saja policore, në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS) për ndalim të vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë Vulin dhe Gjuriq, ka angazhuar njësi relevante policore për implementim të këtij vendimi.

Sipas informacioneve dhe deklarimeve të vetë zyrtarëve serbë, të njëjtit kanë deklaruar se edhe përkundër vendimit zyrtar të autoriteteve të Kosovës për ndalim të hyrjes së tyre, ata do të realizojnë vizitën e tyre të planifikuar në veri të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.

Më tej Policia e Kosovës ka sqaruar se me qëllim të zbatimit të vendimit zyrtar të autoriteteve shtetërore, ka angazhuar njësi relevante policore të cilat do të veprojnë konfrom situatës në raport me vendimin e MPJ-së së RKS-së.

Policia e Kosovës edhe një herë ka bërë të ditur se prezenca e shtuar e forcave të saj në veri të Mitrovicës ka të bëjë vetëm me zbatimin e vendimit të Qeverisë lidhur me ndalesën e hyrjes në Kosovës të zyrtarëve serbë Aleksandër Vulin dhe Marko Gjuriq.

Policia ka apeluar tek qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave lidhur me këtë rast.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0