ZRRE: Qeveria të sigurojë qasjen e KESCO-s në komunat veriore

ZRRE: Qeveria të sigurojë qasjen e KESCO-s në komunat veriore

Qytetarët e Kosovës që gjenden në pjesën jugore të vendit, do të vazhdojnë të paguajnë energjinë elektrike për komunat në veri. Si problem kryesor në lidhje me këtë llogaritet të jetë mungesa e qasjes së furnizuesit me energji elektrike në këto komuna, në mënyrë që të shpërndajë faturat dhe të bëjë inkasimin e tyre.

Sipas zyrtares për marrëdhënie me publikun të ZRRE, Adelina Murtezaj Bajrami, janë problemet politike ato që pamundësojnë qasjen e operatorëve, në këtë rast KESCO, në pjesën veriore të vendit me çka edhe pamundësohet faturimi dhe inkasimi i mjeteve. Më tutje ajo shton se “është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që të krijojnë kushte për operatorët e licencuar të ushtrojnë aktivitetet e tyre për ofrim të shërbimeve të furnizimit me energji elektrike”.

Pra, nëse qeveria nuk i siguron KESCO-s qasje në komunat veriore, dhe në anën tjetër ZRRE nuk e lejon që atë energji t’ua faturojë konsumatorëve që paguajnë, atëherë do të jetë obligim i qeverisë që përmes buxhetit dhe taksave që mbledh të mbulojë atë shpenzim. Gjithnjë sipas ZRRE-së, vendimi i gjykatës që ndalon faturimin e energjisë së shpenzuar në komunat e veriut ka ndikim që rezulton me çmim për 3.5% më të ulët sesa çmimi paraprak.

Çështje tjetër problematike del të jetë edhe rimbursimi i qytetarëve për pagesën e deritanishme që kanë bërë. Sepse përveç që duhet ndalur faturimi i mëtutjeshëm i kësaj shume, edhe faturimet e deritanishme kanë qenë të jashtëligjshme. Sipas ZRRE-së, tri komunat veriore të vendit shpenzojnë rreth 252 GWh në vit, e cila përkthehet në afro 8 milionë euro në vit, barrë që secili prej nesh ka paguar për tërë këto vite.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0