Zhduken maskat kirurgjike nga tregu, e diku një copë kushton edhe nga 2-3 euro

Zhduken maskat kirurgjike nga tregu, e diku një copë kushton edhe nga 2-3 euro

Nuk ka asnjë produkt i cili deri më tani po kërkohet më shumë në tregun farmaceutik kosovar se sa maskat mbrojtëse për shkak të panikut që qytetarët kanë nga përhapja e koronavirusit. Kjo ka bërë që dyqanet e farmacive t’i çojnë në qiell çmimet. Sot ndërkaq është bërë e ditur se dy pacientë të rinj janë duke pritur rezultatet me dyshimet se janë prekur nga koronavirusi. Ndërkohë për katër të tjerë analizat e të cilëve janë kryer dje, rezultatet kanë dalë negative.

“Punoni në polici?. Për ju kam vetëm dy maska. Të tjera po i mbajmë në stoqe”. Kjo kishte qenë përgjigja e një farmacisti të një barnatoreje në Prishtinë, i cili ia kishte shitur dy maska mbrojtëse një qytetari.

Çmimi i një maske i cili fillimisht varionte 20 deri në 25 centë nëpër barnatoret kosovare tash është rritur në 2 dhe 3 euro. Por edhe me këtë çmim maskat mbrojtëse për mbulimin e rrugëve të frymëmarrjes vështirë se po mund të gjenden nëpër barnatoret e Prishtinës.

Gazeta Express gjatë ditës së sotme ka qëndruar në disa nga barnatoret e kryeqytetit. Në shumicën prej tyre, përpos një rasti, maska nuk ka pasur.

“Nuk kemi. Të gjitha na janë shitur. Kemi bërë kërkesë për furnizime të reja. Vështirë se do të furnizohemi”, ka qenë përgjigja që disa prej zyrtarëve të barnatores ia kanë dhënë ekipit të Expressit.

Me gjithë këtë çështje tani është duke u marrë Ministria e Shëndetësisë. Nga ky institucion shëndetësor kanë konfirmuar për Express, se disa qytetarë janë ankuar për mungesën e maskave mbrojtëse.

“Tek ne janë ankuar disa qytetarë rreth mungesave për maska mbrojtëse. Jemi duke e monitoruar situatën”, ka deklaruar Faik Hoti nga zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

E ndërkohë, çmimet e maskave tashmë janë rritur në shumicën prej shteteve botërore.

Në Hong Kong, raporton New York Times, para Vitit të Ri një pako me 50 maska ka kushtuar 6.5 dollarë. Sot çmimi është dyfishuar, dhe madje nuk mund të gjesh fare në stokun e barnatoreve, shkruan Gazeta Shneta.

Çmimi i maskave u raportua të jetë shumëfishuar edhe në Itali, ku koronavirusi i ri Covid-19 u përhap me shpejtësi te qindra persona brenda 2-3 ditësh. Atje mori edhe jetë ku deri më tani numërohen 7 viktima.

Por sa e parandalojnë maskat kirurgjike virusin?

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon përdorimin e maskës në vendet ku rrezikoheni të infektoheni nga virusi. Sipas rekomandimeve nga OBSH, maskat duhet të përdoren nëse jeni duke pasur kontakt me një person i cili dyshohet se është infektuar me Covid-19, apo nëse teshtini. Por maskat janë efektive vetëm nëse përdorimi i tyre bëhet në kombinim me pastrimin e shpeshtë të duarve me sapun, kremë me bazë alkoolin dhe ujë.

Por mikrobiologu Dr. Manal Mohammed në Britaninë e Madhe, thotë për ‘DailyMail’ se ka pak evidenca se maskat kirurgjike mund të parandalojnë marrjen e virusit. Sipas tij, virusi shpërndahet nëpërmjet spërklave nga njerëzit e infektuar të cilat mund të udhëtojnë në disa metra, prandaj maskat kanë efekt të limituar.

“Problemi është se maska nuk supozohet të mbrojë kirurgun, por të mbrojë pacientin nga spërklat që mund të dalin nga goja apo hunda e kirurgut dhe të bien në plagën e pacientit”, thotë ai.

Maska FFP3

Por maskat të cilat kanë filtra të ajrit mund të kenë efekt më të madh në parandalimin e virusit. Maskat e njohura FFP (Filtering face pieces), ndahen në disa kategori dhe FFP1 është niveli më i ulët, ndërsa FFP3 është më e avancuara e cila mban jashtë pothuajse 99 për qind të ndotësve në ajër, përfshirë edhe viruset.

Një maskë e tillë në ‘Amazona’ kushton mbi 60 dollarë, por sipas mikrobiologut Mohammed dhe ekspertit të mbrojtjes personale Nick Moore, kjo maskë FFP3 mund të parandalojë virusin. /GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: