Zërat plot dhembje prapa mureve të shpëtimit

Zërat plot dhembje prapa mureve të shpëtimit

Në një lagje diku në qytetin e Pejës gjendet një shtëpi e re, e cila nuk dallon nga shtëpitë e tjera familjare në atë rreth.

Askush, përveç atyre që duhet ta dinë, nuk ka dijeni që prapa fasadës së saj fshihet objekti për strehimin e femrave, që kanë ikur prej grushteve të meshkujve të shtëpisë, shkruan sot Koha Ditore.

Në këtë objekt të ndërtuar para tetë vjetësh është sistemuar Qendra Rajonale për Mirëqenien e Gruas, e cila strehon viktimat e dhunës në familje, që vijnë nga komunat e Pejës, Istogut, Klinës, Deçanit dhe Junikut.

Në oborrin e kësaj shtëpie të sigurt nuk mund të hysh pa ta hapur derën nga brenda. E po kalove rrethojat, në oborr të “përshëndet” Leotrimi – një qen, i cili nuk përton t’i marrë në “përqafim” të paftuarit. Pasi kalon Leotrimin pa pasoja, pak shkallë më lart është dera hyrëse.

Kur hyn brenda, në murin djathtas, në korridor, të shfaqet një tabelë me emrat e të gjithë donatorëve që kanë ndihmuar këtë qendër prej themelimit të saj në vitin 2002. Pak më larg, e varur në mur, bie në sy një letër në kornizë, e shkruar me dorë nga dy femra të strehuara më herët në këtë shtëpi.

Në pjesën e sipërme të letrës janë fjalët mirënjohëse për stafin e kësaj qendre, të shkruara brenda një zemre të vizatuar. E ndër atë zemër disa rreshta porosie për femrat e tjera.

“Secila femër që i ushtrohet dhunës të kërkojë ndihmë dhe këshilla. Ne që jemi në këtë shtëpi dhe vepra e jonë të jetë shembull për femrat kudo që janë. Të dinë të shpërthejnë rrethin e dhunës, që shkakton dhimbje e plagë, të kenë guxim që nesër të marrin një rrugë të drejtë, rrugë drejtë lumturisë, e dhunës t’i thonë STOP”, janë fjalët e një gruaje tjetër që ka përjetuar dhunën fizike nga burri..

COMMENTS

DISQUS: 0