Vuçiqi thotë se me rezolutë, Kuvendi i Kosovës ia mbylli derën dialogut

Vuçiqi thotë se me rezolutë, Kuvendi i Kosovës ia mbylli derën dialogut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për formimin e ekipit dialogues nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, rezoluta e miratuar sot në Kuvendin e Kosovës, përmban tri elemente kyçe.

“Që secila marrëveshje duhet të çojë drejt pavarësisë së plotë të Kosovës, se nuk ka ndryshim kufijsh, që nënkupton se Kosova duhet të njihet brenda kufijve të tanishëm, dhe se duhet të ruhet integriteti territorial i Kosovës sipas parimit unitar, që nënkupton se disa pjesë të territorit nuk mund të kenë autonomi. Përndryshe, ata po dëshirojnë që në thelb t’ia mbyllin derën çdo dialogu. Me këtë dokument ata qartë thanë ‘i dëshirojmë të gjitha dhe me çdo çmim”, tha presidenti serb në një intervistë për televizionin serb “prva”, transmeton Koha.net.

Ai thotë se Kosova është e gatshme për dialog por, siç thotë ai, “për çka të bisedohet pas miratimit të rezolutës”.

Vuçiqi ka përsëritur se Serbia i ka përmbushur të gjitha marrëveshjet e Brukselit, ndërsa Kosova asnjë.

Sipas tij, “me dorëheqjen e katër kryetarëve serbë të komunave veriore nuk është shkelur marrëveshja e Brukselit”, sepse, siç thotë ai, “ai është vendim i tyre dhe i provokuar nga taksa 100 për qind”.

Kreu i shtetit serb, sërish foli për “katastrofë humanitare” në Kosovë, duke thënë se “Serbia nuk do të lejojë të ndodhë një gjë e tillë”, ndërsa hodhi poshtë deklarimet e Marko Jakshiqit se kjo çështje është “zmadhuar”.

Dje, Vuçiqi tha se ka një porosi për ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, por sot i kishte rënë pishman. Ai tha se këshilltarët i kanë thënë më mirë të mos flasë çfarë ka dashur sepse “do të shkelja disa rregulla diplomatike”.

Ai tha se ka reaguar emocionalisht ndaj, siç tha, “disa deklaratave jodiplomatike të përfaqësuesit diplomatik amerikan”, duke iu referuar mbështetjes që SHBA-ja i ka dhënë formimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Do t’ia them në fytyrë kurdo që e takoj. Kam reaguar në mënyrë emocionale ndaj deklaratës së tij jodiplomatike, sikurse edhe në deklaratat që janë të orientuara direkt kundër interesave të Serbisë, dhe punë e imja është të mbroj interesat e Serbisë. Nuk i frikësohem ambasadorit, asnjërit, e as atij të SHBA-së”, tha Vuçiqi, transmeton Koha.net.

Presidenti serb tha po ashtu se Kosova, me ngritjen e taksës në 100 për qind për mallrat serbe, ka dashur të provokojë Beogradin por se “ne do t’i shmangemi provokimeve të tilla”.

Aleksandar Vuçiqi tha se shpëtimi i vetëm për Serbinë është kompromisi me Kosovën, por “nuk jemi as afër gjetjes së çfarëdo zgjidhjeje, e as që flitet për një gjë të tillë momentalisht”.

“Është e qartë se nuk e kemi përkrahjen në vend për zgjidhjen me Kosovën. Unë nuk e kam atë zgjidhje, e imja ka qenë që të luftoj. Do të doja të kishte, edhe nëse me të do të dështoja e të humbja gjithçka, por së paku të mbahej mend se kam bërë diçka reale, racionale, të rëndësishme”, tha ai,

Sipas tij, kurdo që propozon diçka për Kosovën, së pari e thotë tek opinioni serb, e më pas tek shqiptarët.

“Duhet ta arrijmë këtë. Unë kam thënë se demarkacioni është kompromis. Çdo kompromis është shpëtim për Serbinë, por vështirë do ta kemi ta gjejmë zgjidhjen pas deklarimeve të këtilla në Prishtinë”, tha ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0