Vuçiqi në Tiranë thotë se Serbia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Vuçiqi në Tiranë thotë se Serbia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar sot se asnjë prej “ëndrrave të bukura” të cilat përmenden nga Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor nuk do të realizohen.

Vuçiqi këto komente i bëri gjatë punimeve të samitit Brdo-Brijuni në Tiranë, ku liderët e gjashtë shteteve ballkanike, plus Kroacia, Sllovenia dhe BE-ja, do të duhej të bisedonin për rritjen e bashkëpunimit në rajon dhe për afrimin me BE-në.

Ai ka vlerësuar se nuk do të ketë hapje të kapitujve të rinj për Serbinë e Malin e Zi, e as hapje të bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, as për Bosnjën – asgjë nuk do të ndodhë, madje as liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Në rregull, jemi budallenj, por jo aq budallenj dhe të gjithë e dini se kam të drejtë, asgjë nuk do të ndodhë as në qershor e as në korrik”, tha Vuçiqi.

Presidenti serb, sipas agjencisë serbe të lajmeve FoNet, ka deklaruar gjithashtu se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kur flitet për Kosovën, Vuçiqi ka shtuar se disa kanë bërtitur dhe kanë porositur se “nuk mund të zgjidhni atë problem në atë mënyrë”.

“Kush jeni ju të na mbani leksione. Kjo çështje është mes serbëve dhe shqiptarëve. Nuk është çështje për njerëzit në Islandë, Slloveni, Indi… është çështje për ne”, tha Vuçiqi, transmeton Koha.net.

Ai ka konstatuar se jemi shumë larg arritjes së çfarëdo zgjidhjeje, për të cilën duhet pritur kush e di se sa vite.

“A e kemi marrë mbështetjen e duhur nga Bashkimi Evropian? Jo. Të gjithë i kanë këqyrur interesat e veta”, tha Vuçiqi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0