Vuçiq: Përfundimisht, Kosova do të jetë çështja kyçe për anëtarësim në BE

Vuçiq: Përfundimisht, Kosova do të jetë çështja kyçe për anëtarësim në BE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se për marrëveshjen ligjërisht obliguese me Kosovën duhet të ekzistojë konsensus i gjerë dhe vullnet nga shumica e shoqërisë sonë.

Në një intervistë për “Novosti”, ai u pyet se a mund të ndodhë që Serbia të nënshkruajë marrëveshjen ligjërisht obliguese me Kosovën dhe, megjithatë të mos hyjë në BE, Vuçiq tha se kjo nuk duhet parë sikur është në pyetje tregtia.

“A dëshiroi të bëni diçka, e në të kundërtën të fitoi diçka tjetër. Në interes të Serbisë është që të arrihet marrëveshja me shqiptarët, pavarësisht se a do të bëhemi anëtar të BE-së apo jo. Por kur të ndodh kjo, jam i bindur se dera nuk do të ishte thjeshtë e hapur, por e hapur plotësisht”, tha Vuçiq.

Sipas fjalëve të tij, edhe nëse e përmirësojmë GDP-në e edhe sikur të jemi kampionë në reforma, BE prapë në fund do të na kushtëzojë me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Nuk ka dyshim që kjo është çështja kyçe, e madhe edhe kur na thonë diçka tjetër, në të vërtetë mendojnë për Kosovë. Për këtë arsye dëshiroj të arrijmë ndonjë zgjidhje kompromisi. Por këtë duhet ta kuptojnë edhe shqiptarët sepse as ata nuk do të kenë të ardhme nëse nuk ka marrëveshje. Ajo që Serbia të japë gjithçka, e të mos marrë asgjë, nuk është as reale e as e mundshme”, thotë ai, transmeton Koha.net.

Ai shton se lojtarët e mëdhenj në skenën botërore kanë propozuar një zgjidhje, por që për Serbinë, siç thotë ai, do të ishte e papranueshme.

Sipas Vuçiqit, është e vështirë të dilet me ndonjë propozim të ri, pasi që fuqitë e mëdha perëndimore thonë se çështja territoriale e Kosovës është e zgjidhur, pasi që e kanë fituar pavarësinë.

“As ata nuk do të heqin dorë nga kjo. E jona është që të provojmë e të shohim se çka mund të fitojmë, edhe për serbët në Kosovë e Metohi, por edhe për Serbinë. Shumë njerëz këtë e harrojnë. Nuk jemi duke u marrë vetëm me serbët në KeM. Ata janë më të rëndësishmit, siguria e tyre, jeta, zhvillimi ekonomik, perspektiva, e ardhmja. Por kjo nuk është e vetmja çështje për ta, është çështje edhe për të gjithë të tjerët që jetojnë në Serbi”, u shpreh i bindur Vuçiqi.

Ndërkaq, ka thënë se me propozimin e tij do të dalë kurdo që vlerëson se është mirë për vendin e tij dhe kur mund të arrihet një rezultat i caktuar.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0