Vuçiq i mllefosur pse ROSU hyri në veri

Vuçiq i mllefosur pse ROSU hyri në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se hyrja e forcave speciale të Kosovës, ROSU, ditën e shtunë në veri të Kosovës, përbën “sulm të armatosur banditësh”.

“Me hyrjen e njësive speciale ROSU në veri të Kosovës u kërcënua dhe sulmua paqja”.

“Operacioni përfshiu 110 deri në 130 anëtarë të forcave speciale të Kosovës, të gjithë shqiptarë, që kanë zënë rrugë hyrëse dhe të gjitha objektet pranë Ujmanit, duke keqtrajtuar brutalisht disa persona dhe duke mbajtur peng katër”, tha Vuçiq.

Njësitet speciale të Kosovës qenë të shtunën në veri në përcjellje të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili vizitoi vendkalimin kufitar Bërnjak dhe Liqenin e Ujmanit.

Thaçi tha se vizita e tij atje ishte “rutinore” dhe “krejt normale”, por autoritetet në Serbi thanë se Policia e Kosovës ka marrë nën kontroll Liqenin dhe hidrocentralin e Ujmanit dhe se ka arrestuar disa serbë.

Këto pretendime, megjithatë, u hodhën poshtë nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës Veriore, Besim Hoti.

Vuçiq, në një fjalim drejtuar kombit serb, tha se me “dhunën e sotme” janë shkelur disa marrëveshje dhe se përfaqësuesit e Kosovës treguan se këto marrëveshje nuk i obligojnë ata dhe, për më tepër, shtoi Vuçiq, ata e kanë mbështetjen e aleatëve të tyre perëndimorë.

“Shqiptarët e armatosur në veri të Kosovës, sipas marrëveshjeve që kemi arritur, mund të shfaqen vetëm me përmbushjen e dy kushteve: me miratimin e NATO-s dhe me pëlqimin e plotë të komunitetit lokal serb”, tha Vuçiq.

“Nuk e di nëse kanë pasur pëlqimin e NATO-s, por kushti i dytë është shkelur plotësisht”, tha presidenti serb.

Ai tha se ka urdhëruar shefin e shtatmadhorisë së ushtrisë serbe që të vë ushtrinë në gjendje të gatishmërisë maksimale.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0