Votohet kundër uljes së akcizës për pijet joalkoolike, deputetët kërkojnë të gjendet zgjidhje tjetër për prodhuesit vendës

Votohet kundër uljes së akcizës për pijet joalkoolike, deputetët kërkojnë të gjendet zgjidhje tjetër për prodhuesit vendës


Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka votuar kundër uljes së akcizës në lëngje nga 4.5 cent për litër në 0.5 cent për litër.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se kjo ka qenë kërkesë e bizneseve të cilat merren me prodhimin e lëngjeve.
Ajo tha se kjo po bëhet për shkak të goditjes që pandemia i ka shkaktuar biznesit.

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami tregoi për ketë vendim, e cila tha se akciza prej 4.5 cent në lëngje është shumë e lartë.
“Qeveria ka marrë vendim për ndryshimin e tatimit të akcizës në lëngje dhe automjetet hibride. Sipas kërkesës së bizneseve akciza 4.5 cent në lëngje është shumë e lartë. Ministria e Financave propozon që të zbritet në 0.5 cent në litër”.
“Akciza për veturat hibride për shkak te stimulimit te blerjes së tyre kemi marrë vendim nga 500 euro në 10 euro. Impakti Financiare për këto dy është 5 milion euro në vit për lëngje. E sa i përket veturave 11 mijë euro në vit”, tha ajo.
Lidhur me këtë iniciativë të Qeverisë anëtarët e komisionit shprehën rezervat e tyre për shkak të ndikimit që mund të ketë kjo në buxhetin e shtetit.
Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza rekomandoi për kujdese për shkak se ulja e taksave sipas tij, qon në rritje të borxhit publik.
“Ne duhet të kemi kujdes në gjetjen e ekuilibrave për të mos i dëmtuar të hyrave”, tha ai.

Kryetari i Komisionit, Hekuran Murati tha se ndihma për prodhuesit vendës duhet të ekzistoj e sidomos në këtë kohë.
““Nëse akciza prej 4 cent zvogëlohet edhe për importuesin edhe për prodhuesin vendor atëherë nuk është që po krijojmë ndonjë avantazh për prodhuesin vendor. Për shkak se prapë konkurrenca do të jetë e njëjtë, do të jenë prapë në fushën e njëjtë të lojës. Në anën tjetër e kemi edhe kufizimin që nuk mund të bëjmë dallime në mes prodhuesit vendor dhe importuesit, që u tha është për shkak të MSA-së. Prandaj e kemi edhe këtë problem. Çështja tjetër është edhe tek ndikimi buxhetor. Këtu i kam disa pyetje, u tha që do të jetë rreth pesë milionë euro. Sa prej këtyre pesë milionë eurove paguhen prej prodhuesve vendorë e sa prej importit”…Sa i përket akcizës për veturat hibride edhe unë e mbështes”.ka deklaruar Murati
E për këtë reagoi ministrja Bajrami, e cila tha se kërkesa për heqje të akcizës në lëngje vjen ekskluzivisht nga prodhuesit vendor.
Murati tha se duhet të bëhen zgjidhje të tjera për t’i ndihmuar prodhuesit vendës.
Deputetët kërkuan që Qeveria të jap opsione të reja sa i përket kësaj çështje duke i ndihmuar prodhuesit vendës.
Ata ishin kundër heqjes së akcizës për shkak se ky vendim heq akcizën edhe për lëngjet e importuara.
Propozimi i Qeverisë u hodh në votim mirëpo nuk mori përkrahjen e deputetëve.
Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi tha se nuk mund të diskriminohen importuesit e huaj e të favorizohen prodhuesit vendës për shkak se Kosova është nënshkruese e MSA-së, e cila ndalon favorizimin e ndonjë sektori.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0