Vizitat në atëdhe  po u kushtojnë shtrenjtë mërgimtarëve

Vizitat në atëdhe po u kushtojnë shtrenjtë mërgimtarëve

Vizitat për festat e fundvitit u kushtuan goxha shtrenjtë mërgimtarëve këtë herë. Disa prej tyre u plaçkitën, derisa të tjerë u përballën me probleme rrugëve të Serbisë. Madje, njëri prej tyre po mbahet në paraburgim në Serbi. Express iu sjell rastet me të cilët u përballën mërgimtarët gjatë vizitave në Kosovë.

Në orët e hershme të së premtes, Nezir Mehmetaj bashkë me nënën e tij, Nazlien, morën rrugën drejt Nishit të Serbisë, për të kërkuar shërim.

Por, aty i doli një problem Nezirit.

Ai u arrestua në pikëkalimin kufitar në Merdare me një urdhërarrest të lëshuar nga gjykata serbe, nën dyshimin për krime lufte.

Për këto dyshime, gjykata serbe i ka caktuar Mehmetajt një muaj paraburgim.

Por, sipas familjarëve, Neziri nuk ka qenë fare gjatë luftës në Kosovë dhe se atë kohë ai ishte në Zvicër.

Për arrestimin e tij ka reaguar edhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli ka thënë se zyra ndërlidhëse në Beograd do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit.

“Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit”, ka shkruar Pacolli.

Por, ky nuk është mërgimtari i vetëm që u përballë me probleme.

Tre mërgimtarëve që kaluan festat e fundvitit në Kosovë, gjatë rrugës nëpër Serbi iu janë shpuar gomat e veturave.

Mërgimtari Premtim Esati ka thënë se atyre qëllimisht u janë shpuar gomat e veturave me thikë.

“Në këpucët e tyre kanë thika dhe i shpojnë gomat. Menjëherë aty afër qëndron një Golf dysh që ka lidhje me vullkanizerin dhe aty për aty i ndërrojnë gomat – një gomë e përdorur kushton 70 euro. Këtu janë të parkuara tre makina të cilat kanë të njëjtin problem dhe që po presim ndërrimin e gomave”, ka shkruar mërgimtari në grupin “Merakli t’kerreve”.

Pas këtyre incidenteve, Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar që të shmanget sa më shumë qarkullimi përmes këtij vendi, meqenëse siç thonë Serbia nuk është territor që ofron siguri.

“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor, i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi”, thuhet në komunikatë.

Telashet e mërgimtarëve që erdhën për pushime në Kosovë për festat e fundvitit nuk mbarojnë këtu. Një mërgimtari tjetër i është thyer vetura e i janë marrë dokumentacionet e nënshtetësisë gjermane.

Bëhet fjalë për Xhemshit Fanën, i cili tash e sa vite jeton në Gjermani.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë dhe lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Xhemshit Fana thotë se nëse dokumentacionet nuk i kthehen, ai mund të humb edhe vendin e tij të punës, për shkak të vonesës për kthim në shtetin ku jeton.

“Më datën 30.12.2019, më është thyer vetura në Breg të Diellit. Përveç që më është shkaktuar dëm në veturë, më është marrë edhe dokumentacioni i nënshtetësisë Gjermane që gjendej në kulet, brenda në veturë. I lus kryersit e kësaj vepre që s’paku ta hudhin dokumentacionin ku është i frekuentuar me njerëz që ta shef dikush dhe të më kthehet mbrapa për arsye se mos kthimi im mbrapa në kohë në Gjermani, rezulton edhe me humbje të vendit të punës dhe shumë termineve tjera, gjë që do të më shkaktojnë telashe të mëdha”, ka njoftuar Fana.

Mërgimtarët u përballën edhe me zhdukje të familjarëve.

Një familjeje kosovare që jetojnë në Austri, iu zhduk vajza 15 vjeçare.

Ndërkohë, në Polici u raportua edhe për zhdukjen e një mërgimtari tjetër.

Sipas familjarëve, ai kishte ardhur për pushim nga Gjermania.

“Më 27.12.2019 ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se vëllai i tij, viktima mashkull K/Shqiptar ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Sipas ankuesit, viktima kishte ardhur në pushim nga Gjermania. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhej në raport.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: