‘Vizatimi i kufijve’, pjesë e bisedimeve më 7 shtator

‘Vizatimi i kufijve’, pjesë e bisedimeve më 7 shtator

Korrigjimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë  pjesë e marrëveshjes finale në mes të dy shteteve, ndërsa takimi i radhës mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij serb Aleksandër Vuçiq do të mbahet më 7 shtator të këtij viti. Të paktën kështu bënë të ditur dy presidentët gjatë takimit të së dielës në Alpbach të Austrisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi janë takuar gjatë së dielës në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë. Përderisa Thaçi në këtë takim ka thënë se procesi i dialogut është në finale dhe se Prishtina dhe Beogradi kanë nevojë për ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Vuçiq në anën tjetër ka theksuar se nuk mund të arrihet një marrëveshje finale me Kosovën pa fituar edhe Serbia diçka.

Në anën tjetër Van der Bellen, presidenti austriak, kur foli për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë theksoi se jemi drejt një momenti historik. “Diçka ka ndodhur mbrëmë. Unë kam përshtypjen se jemi drejt një momenti historik”, tha Der Bellen duke iu referuar debatit në forumin e Alpbach, ku folën Thaçi e Vuçiq.

Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike të vendit thonë që deklaratat e të dy presidentëve paralajmërojnë një marrëveshje veçse të arritur midis dy vendeve. Madje ata thonë që kjo marrëveshje mund të sjellë humbje të mëdha për Kosovën, me ç’rast do të rezultonte që Kosova të humbë edhe veriun e Mitrovicës dhe të mos marrë asgjë në shkëmbim.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0