Vizat nuk u hoqën, dikush duhet të japë dorëheqje!

Vizat nuk u hoqën, dikush duhet të japë dorëheqje!

Për më tepër se tre vite kemi dëgjuar shumë politikanë tek premtojne se demarkacioni me Malin e Zi ishte kushti i fundit për heqjen e vizave, dhe posa të përmbushej ky kusht, lëvizja e lirë e qytetarëve do të ishte punë e kryer brenda javësh, apo më së largu muajsh.

Askush nuk fliste për kushtin e luftimit të korrupsionit, megjithëse edhe ai ishte njëri prej kritereve kryesore që llogaritej ende i papërmbushur. Në muajin mars të vitit të kaluar, demarkacioni me Malin e Zi u ratifikua në Kuvend, dhe krerët e shtetit mezi pritën të deklaroheshin që vizat do të hiqeshin shumë shpejtë.

Pati edhe të atillë që thonin se ishte shumë e mundshme që vizat të hiqeshin në muajin shtator. Mirëpo fundi i vitit 2018 llogaritej si punë e kryer për liberalizim. Madje në një rast kur gazetarët pyetën Kryeministrin se kur do të liberalizoheshin vizat, ai u përgjigj që vizat tashmë janë hequr. I tërëky cirk u zhvillua para syve tanë.

Në anën tjetër, zyrtarët e Bashkimit Evropian u bënin thirrje vazhdimisht politikanëve që të mos premtohej një datë e caktuar, sepse ende kishte punë për t’u bërë. E punë pa kryer kishte mbetur sidomos në fushën e luftimit të korrupsionit. Por as kjo nuk i ndali ata që të ngarendin se cili i pari po jipte datën për viza, e me këtë të siguronte edhe pak merita për veten.

Tani që viti 2018 u mbyll, lëre që qytetarët nuk fituan lirinë e lëvizjes, por sipas asaj që tha Komisioneri Hahn, është e kotë që një gjë e tillë të pritet para vitit 2020. Dhe janë po këta politikanë që vazhdojnë të tallen me popullin duke e shtyrë datën e heqjes së vizave si thotë populli “nga e enjtja në të enjte”.

Duhet të jemi të vetëdijshëm që herët a vonë vizat do të hiqen, sepse fundja Evropa nuk ka se si të na mbajë të izoluar përgjithmonë. Mirëpo edhe një gjë duhet të dijmë, se pa kërkuar llogari nga ata që na gënjyen për një vit të tërë, gjërat nuk do të ndryshojnë për të mirë.

Andaj kërkesa e popullit duhet të jetë që, qoftë edhe si simbol i pranimit të dështimit, së paku një person duhet të japë  dorëheqje. Kjo për të na treguar neve se e kanë përnjëmend kur flasin për “përgjegjësi të plotë”. Një togfjalësh që e përdorin rëndom kur duan të na gënjejnë për diçka. /EkonomiaSot

 

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0