Vitia: S’ka të prekur në Kosovë, planifikojmë t’i shpenzojmë 10 milionë euro për koronavirusin

Vitia: S’ka të prekur në Kosovë, planifikojmë t’i shpenzojmë 10 milionë euro për koronavirusin

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media pas takimit të Komiteti Koordinues dhe Vlerësues për situatën epidemiologjike për koronavirus, ka deklaruar se deri më tani në Kosovë nuk është asnjë rast i konfirmuar me koronavirus. Ministria e Shëndetësisë planifikon të shpenzojë 10 milionë e 13 mijë e 295 euro, për të zhvilluar aktivitetet dhe planet rreth parandalimit apo trajtimit të virusit për të prekurit eventual në Kosovë

“Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me koronavirusin mbajti sot takimin e rregullt në të cilin ka shqyrtuar situatën epidemiologjike në vend dhe ka përgatitjet që janë bërë për t’u ballafaquar me raste eventuale të këtij virusi edhe në Kosovë”, ka thënë Vitia.

Ai ka shtuar se deri më tani janë testuar 57 raste të cilat kanë rezultuar të jenë negative.

“Raste me koronavirus janë konfirmuar në vendet fqinje me Kosovën. Tash për tash, pa i llogaritur pesë raste që po testohen sot, në Kosovë nuk ka raste të koronavirusit të konfirmuara. Janë testuar 57 raste deri më tani dhe të gjitha kanë rezultuar negative”, tha Vitia.

“Komiteti vendosi sot për ngritje më të lartë të gatishmërisë lidhur me koronavirusin dhe kryeministrit të vendit do t’i prezantohet kërkesa që të ngritë shkallën e gatishmërisë në nivel të këshillit të sigurisë së Kosovës. Duke pasur parasysh faktin se deri tash nuk ka rast të konfirmuar, do të vazhdojmë me përgatitje për raste eventuale”, tha Vitia.

I pari i shëndetësisë tha se dikasteri të cilin ai drejton ka llogaritur edhe mjetet financiare të cilat do të shërbejnë për aktivitetet që do të ndërmerren.

“MSH’ja ka bërë përllogaritjen financiare të aktiviteteve që do të zhvillohen nga ministria, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Klinika Infektive dhe institucionet tjera mbështetëse, pra secili hap do të varet nga zhvillimet qe do t’i kemi në terren në orët apo ditët në vazhdim. Janë 10 milionë e 13 mijë e 295 euro. Plani i veprimit do të bëhet në zbatim, varësisht nga situata. Te gjitha janë të përcaktuara qartë në një plan të detajuar nga ekspertët”, deklaroi Vitia.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: