Vetëvendosje shpalos planin për Telekomin: Do ta shfuqizojmë vendimin për privatizim

Vetëvendosje shpalos planin për Telekomin: Do ta shfuqizojmë vendimin për privatizim

Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, partitë politike ende nuk e kanë konkretizuar në premtimet e tyre asnjë plan për kompaninë publike Telekom. Nga Lëvizja Vetëvendosje, të kontaktuar nga Gazeta Express kanë bërë të ditur se në rast se marrin qeverinë pas zgjedhjeve, do të shfuqizojnë vendimin për privatizim derisa do të marrin masa për ta rikthyer në binarë Telekomin.

Gazeta Express ka disa ditë që është duke pritur përgjigje nga partitë politike dhe koalicionet lidhur me planet që kanë për Telekomin, nëse pas gjashtë tetorit fitojnë zgjedhjet dhe marrin udhëheqjen e qeverisë.

Deri më tani kësaj pyetje iu është përgjigjur vetëm Lëvizja Vetëvendosje.

Nga kjo parti i kanë thënë Expressit se nuk ka gjasa që një kompani me potencialin të cilin e ka Telekomi të falimentojë. Të njejtët për këtë i fajësojnë ata që kanë udhëhequr në pushtet.

“Asnjë kompani në botë me kaq shumë potencial siç është Telekomi i Kosovës nuk falimenton. Këta që për fatmirësisht tashmë janë ish pushteti, e zhvatën Telekomin me qëllim që ta falimentonin Telekomin”, thuhet në përgjigje.

Tutje, theksohet se në rast se kjo parti fiton zgjedhjet, pas 6 tetorit do të merrën masa që të rikthehet në binarë kompania publike.

“Qeveria e re, e drejtuar nga Albin Kurti do ta zbatojë rezolutën 06-R-013, të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 12 korrik 2018. Në pikat 1 deri 6 janë tështruara qartë masat që duhen marrë për ta rikthyer në binarë Telekomin. Qeveria është aksionare 100% në Telekomin e Kosovës, ndaj i ka të gjitha mundësitë ta transformojë për të mirë gjendjen aty.

Zbatimi i pikave të Rezolutës, shkëputja e kontratave të dëmshme, duke filluar nga shkëputja përfundimtare e kontratës me Dardafone.net është zgjidhja. Ndërsa vendimi i ish qeverisë për procesin e Privatizimit do të shfuqizohet”, thuhet tutje.

Në anën tjetër, sipas kësaj partie, përmendet edhe përfundimi i kontratës me Monaco Telecomin, duke shtuar se do të nisë edhe puna e komisionit parlamentar hetimor për PTK-në.

“Zbatimi i plotë për kodin telefonike, pra deri te ndërrimi i SIM-kartave me rezultat mëvetësimin e plotë nga Monaco Telecom. Vetëm përfundimi i kësaj kontrate ja shpëton Telekomit rreth 6 milionë euro në vit. Por siç dihet tashmë dhe në publik radha e kontratave te panevojshme dhe zhvatëse është e gjatë. Njëjtë do të veprojë shumica jonë parlamentare edhe sa i takon komisionit hetimor për Telekomin. Ai komision do të rinisë punën e tij deri në hetimin e plotë të rasteve në Telekom menjëherë sapo të konstituohet legjislatura e re”, shkruhet në përgjigjen e Vetëvendosje.

Partia e udhëhequr nga Albin Kurti është zotuar që do të ofrojë vëmendjen që duhet inxhinierëve dhe profesionistëve në Telekom.

“Duhet ta kemi të qartë se në Telekom inxhinierët dhe profesionistët me përvojë e kanë shumë të qartë se si dhe çfarë hapash nevojiten për të dalë nga kjo situatë. Atyre u ka munguar vëmendja për të mirë e Qeverisë. Kjo nuk do të ndodhë më”, u bë e ditur.

Ndryshe, lidhur me planet që kanë në rast se marrin udhëheqjen e qeverisë nuk janë përgjigjur nga partitë e koalicionet tjera të pytur nga Gazeta Express. Kjo temë si duket nuk po ju leverdis mjaftueshëm partive politike që ta përmendin në fushatë.

Kompania që dikur ishte më profitabilja në vend veçse ka filluar procedurat e privatizimit. Telekomi i Kosovës tashmë ka një afat prej më pak se pesë muajsh, ku do të vuloset fati i saj, e kjo po ndodh në kohën kur kompania po përballet me humbje të mëdha e kërcënime që po i vijnë nga borxhet milionëshe.

Iniciativa për privatizim të Telekomit është e treta me radhë, pasi që dy iniciativat e para kishin dështuar./Express/

COMMENTS

WORDPRESS: 0