Vetëvendosje proteston më 29 shtator

Vetëvendosje proteston më 29 shtator

Vetëvendosje ka konfirmuar se më 29 shtator, e shtunë, me fillim prej orës 14:00 do të protestojë në sheshin e Prishtinës.

Sipas kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti, populli i Kosovës nuk do t’i nënshtrohet një njeriu si presidenti Hashim Thaçi dhe se protestat janë të domosdoshme.

Ai në një konferencë për media ka konfirmuar se kanë komunikuar vazhdimisht me LDK-në për protestë të përbashkët, “por ka parë më shumë interesim sesa gatishmëri për protestë nga LDK-ja”.

Ai ka thënë se Thaçi po i mashtron qytetarët e Luginës se mund të bëjë bashkim me Kosovën dhe se Thaçi po luan lojëra të rrezikshme për vendin duke “zëvendësuar Gjermaninë me Rusinë në politikën e jashtme të Kosovës”.

“Jo vetëm që nuk i besojmë dhe se është mashtrim i madh. Nuk lejojmë që Kosova të ndahet. E respektojmë parimin e reciprocitetit të të drejtave dhe e pranojmë dhe e duam referendumin e vitit 1992 në Luginë, por mos të shikohet vetëm teksti, por edhe konteksti. Ky president ka folur për kompromis të dhimbshëm. Për shumë vite i ka mashtruar qytetarët e Kosovës, e tash po i mashtron ata të Kosovës Lindore. S’duhet të ketë pazare territoresh thuajse i kanë të vetat. Qytetarët e Luginës duhet të jenë vigjilentë e të vlerësojnë në bazë të veprave të reja e jo rrenave të vjetra. Po e konteston shtetësinë sepse po i bie se nuk është dashur të shpallej e pavarur me këta ‘kufij të gabuar’. Po e zëvendëson me politikën e jashtme Gjermaninë dhe Rusinë. SHBA ka qenë është dhe do të jetë në Kosovë e me Kosovën, por aventura personale e tij po e zëvendëson Gjermaninë me Rusinë. Ky s’kërkon më takim me Merkelin, por me Putinin. Nuk takon më zyrtarët e Gjermanisë, por takon Medvedevin. E ka shndërruar politikën e jashtme në një biçikletë fëmijësh që mund ta sjellësh në mënyrë rapide”, ka thënë Kurti.

Fjala e Kurtit në konferencën e sotme për media:

Situata politike në Kosovë është e rëndë, sidomos nga ndërmarrja e Presidentit i Kosovës, Hashim Thaçi, për dialog të ri me homologun e tij serb, pa mandat nga Kuvendi, pa parime për dialogun, pa ekip gjithpërfshirës, si dhe me parashikimin e tij për ‘kompromis të dhimbshëm’ gjatë ‘korrigjimit të kufijve’. Kjo aventurë personale e Presidentit të Kosovës duhet ndalur dhe duhet ndaluar. Ai tani shënon mbështetjen më të ultë qytetare në Kosovë në gjithë karrierën e tij politike. Ky president nuk as legjitimitet, as kompetencë dhe as kredibilitet.

Edhe gjendja socio-ekonomike në Kosovë është e rëndë, për shkak të mungesës së zhvillimit e progresit dhe teprisë së keqqeverisjes e korrupsionit. Nga skandalet e shpeshta dhe të shumta të kryeministrit e të kabinetit enorm të tij, na nxjerrin veçse zgjedhjet e reja parlamentare. Qeveria po e bojkoton Kuvendin sepse ajo po e lufton opozitën, krejt kjo nën mbikëqyrjen e kryetarit të Kuvendit. Pushteti në Kosovë e ka braktisur shtetndërtimin demokratik: ai nuk e don sundimin e ligjit dhe nuk din për zhvillim ekonomik.

Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE!, më 29 shtator 2018, thërret protestë paqësore e qytetare në Prishtinë, në ora 14:00. Ne i kemi institucionet e shtetit të kapura. Sheshi është institucion në republikë. Pakënaqësia duhet të dalë në shesh. I ftojmë qytetarët e të gjitha moshave e vendbanimeve, anëtarët e të gjitha partive dhe organizatave të bashkohen në protestë. Një popull s’i nënshtrohet një njeriu.

Asgjë më pak se shpëtimi i shtetit të Kosovës nuk është në pyetje. Ruajtja e integritetit territorial e institucional dhe mbrojtja e popullsisë dhe paqes në Kosovë, janë detyra jonë si qytetarë të republikës, si politikanë përfaqësues e si aktivistë politikë.

Pasi që na e rrudhën lirinë dhe demokracinë, institucionet dhe mirëqenien, duan të na e rrudhin edhe territorin dhe pavarësinë. Duan ta ndajnë Kosovën e ta copëtojnë edhe Kosovën Lindore. Pazaret e Thaçit me Vuçiqin nuk do t’i paguajmë ne. Sepse, një popull s’i nënshtrohet një njeriu.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0