Vetëvendosje: Miliardat e shtetit po shkojnë për asfalt dhe jo për zhvillim

Vetëvendosje: Miliardat e shtetit po shkojnë për asfalt dhe jo për zhvillim

Deputeti Liburn Aliu në ambientet e Kuvendit të Kosovës mbajti konferencë për media në lidhje me ndërtimin të edhe një autostrade tjetër.

Në lidhje më këtë temë sot drejtuesi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca, deputetët, Liburn Aliu dhe Arbër Rexhaj dhe zyrtarë të Lëvizjes nga qendrat e Prizrenit dhe Rahovecit zhvilluan një takim në Rahovec me Këshillin nismëtar për kundërshtimin e këtij projekti.

Qytetarët e Rahovecit prej javësh po e kundërshtojnë mënyrën se si është vendosur traseja e autostradës pa i pyetur dhe duke i anashkaluar nevojat e tyre. Peticioni i nisur prej tyre i ka kaluar 5000 nënshkrime për të mbrojtur tokat bujqësore nën ujitje dhe komasacion nga një mur i pakalueshëm i cili u bllokon qasjen jetike në Drinin e Bardhë. Pas takimeve dhe sqarimeve me ta Lëvizja e bashkëndan shqetësimin, seriozitetin dhe brengën e tyre.

Javën e kaluar Komiteti drejtues ndërministror për zhvillimin e projektit i drejtuar nga Ministri Pal Lekaj ka marrë vendim për variantin final të këtij projekti pa analizë paraprake të fizibilitetit, pa arsyeshmëri ekonomike dhe në kundërshtim me të gjitha planet hapësinore në Kosovë. Cënimi i pakthyeshëm i tokave bujqësore nën komasacion dhe me sistem ujitje përveçse është dëm ekonomik është edhe veprimtari e ndaluar me ligj.
Vendimi ad-hoc si dhe caktimi ad-hoc i koridoreve të autostradës është pikërisht modeli i kësaj qeverie, e cila improvizon projekte të pastudjuara në shërbim të interesave private të mirëpërllogaritur.

Deputeti Aliu e denoncoi logjikën e projektit duke thënë, “Përse të shpenzohen 1 miliardë euro për autostradën kur parashihen projekte edhe për zgjerimet e rrugëve ekzistuese. Rruga Prizren-Gjakovë është në projekt të zgjerohet në 4 shirita? Përse paralel me këtë rrugë të ndërtohet autostradë? Njëjtë me këtë projekt, Qeveria po punon drejt projektit të vazhdimit të autostradës deri në Merdarë ndërkohë që ka filluar zgjerimi i rrugës ekzistuese me katër shirita dhe kjo autostradë do të jetë paralel me këtë rrugë me një distance 1-5 km nga ajo”.

Në mungesë të ideve zhvillimore dhe zonave industriale, infrastukturën e cila i mbyt potencialet e zonës qeveria e shet si investim zhvillimor.

“Në Rahovec ka nevojë të bëhet rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë dhe mbrojtja e tij nga keqshfrytëzimi, subvencionimet e projektet që avancojnë teknologjinë përpunuese të prodhimeve bujqësore. A nuk do të ishte më mirë që ato një miliardë euro të shkonin në investime për zhvillim ekonomik të të njejtave zona?”, shtoi Liburn Aliu.

Kjo qasje jo zhvillimore dhe korruptive qeverisëse e cila në vend se t’i nxjerrë në pah potencialet e Kosovës ia ngulfat ato është një prej arsyeve kryesore pse zona të mëdha pjellore në Kosovë po braktisen nga banorët e tyre. Kosova ka nevojë për një shtet të drejtë, politika largpamëse, politikanë mirëkuptues dhe ekonomi zhvillimore.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0