Vetëvendosje merr lejen e policisë për tubimin e nesërm

Vetëvendosje merr lejen e policisë për tubimin e nesërm

Policia e Kosovës njofton se ka pranuar kërkesë nga Lëvizja Vetëvendosje për tubimin e nesërm në sheshet e kryeqytetit, kësisoj, edhe e ka aprovuar.

Në një përgjigje për KOHËN, policia thotë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet për menaxhim të situatës për të garantuar qetësinë publike.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, thuhet në përgjigjen e PK-së për KOHËN.

Tutje, në përgjigje theksohet se si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë.

Tubimi do të nisë nesër në sheshin “Skënderbeu”, “Ibrahim Rugova” dhe “Ademi Jashari”, nga ora 17:00 deri në orën 19:00, ndërkaq, përgatitjet teknike nisin në orën 16:00.

Për mbajtjen e këtij tubimi, njofton LVV-ja, janë angazhuar 200 aktivistë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0