Vetëvendosje garanton për fushatë fer, pa ofendime

Vetëvendosje garanton për fushatë fer, pa ofendime

Sot ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit. Subjektet politike në Kosovë janë shprehur të gatshme të hyjnë në këtë fushatë, ku premtojnë se do t’u përmbahen rregullave dhe ligjit. Mirëpo në parafushatë shumë prej partive politike e shumë prej kandidatëve për deputetë kanë përdorur gjuhë të urrejtjes, kanë ofenduar njëri-tjetrin, madje disa prej tyre edhe janë konfrontuar fizikisht.

Në prag të fillimit të fushatës gjuhë denigruese ka përdorur edhe nënkryetari i LDK-së, njëherësh shef i Shtabit Zgjedhor të kësaj partie, Lutfi Haziri, ndaj kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër. Haziri e ka krahasuar Albin Kurtin me komikun Rowan Atkinson në rolin e Mr. Beanit.

“Edhe ky lideri tjetër që është bërë si Mr. Beani ka filluar të qethet e të rruhet, ka hyrë në kravatë, mirë ka bërë, ka filluar t’u ngjajë njerëzve të LDK-së. Nuk mundet dhe nuk ka të drejtë Kurti të thotë që Vjosa duhet të bëhet kryetare e Kuvendit. Ne i kemi thënë ‘Jo’, sepse Vjosa do të bëhet kryeministre, kryetar i Kuvendit bëhet ai që e cakton LDK-ja”, ka thënë Haziri.

Mirëpo në një përgjigje për “Zërin” Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar se nuk do të bie në nivel të diskutimit me ofendime. Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka është shprehur se fushatën zgjedhore do ta bëjnë vetëm në përputhje me ligjin ku thekson se fokusi i tyre do të jetë ballafaqimi i programeve politike.

“Qytetarët janë duke e parë kah është programi dhe kah janë ofendimet dhe sigurisht se do të vendosin më 6 tetor. Nga ana jonë nuk do të ketë shpifje e ofendime por vetëm ballafaqim programesh e konceptesh politike. Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të lëshohet në nivele të tilla ofendimesh siç ka rënë të hënën nënkryetari i LDK-së, drejtuesi i shtabit dhe kryetari i komunës së Gjilanit, këtë le ta gjykojnë më së miri qytetarët e Republikës”, thuhet në përgjigjen e Vetëvendosjes dhënë “Zërit”.

Manxhuka ka deklaruar se Vetëevndosje është e përgatitur për fushatën zgjedhore dhe se do të jetë garantuese e mbarëvajtjes së zgjedhjeve.

“Lëvizja si subjekt jo vetëm që i ka respektuar gjithnjë rregullat më së shumti, por ka qenë në një formë edhe garantuese e mbarëvajtjes së zgjedhjeve, duke denoncuar më së shumti shkeljet dhe duke qenë mbrojtësja më e madhe e votës së lirë të qytetarëve. Edhe kësaj here ne jemi shumë të mobilizuar dhe të vendosur që ta sigurojmë fushatën dhe procesin zgjedhor dhe veçanërisht të mbrojmë vullnetin e qytetarëve që manifestohet përmes votës”, ka deklaruar ai.

Lëvizja Vetëvendsoje që në zgjedhjet e kaluara ka prezantuar 40 prioritete në këto zgjedhje ka shpalosur 20 prioritete që, siç thonë ata, janë masa konkrete të zbërthyera nga programi i tyre qeverisës. Ata pretendojnë se nga subjektet e tjera fillimisht u vodh programi i Lëvizjes prej banesave për qiftet e reja, te zvogëlimi i qeverisë në 12 ministri e deri te fondi sovran. Sikur të mos mjaftonte kjo, Maxhuka thotë se tash partitë kanë filluar ta ofendojnë LVV-në me një lloj cinizmi të ultë.

Për fushatë të drejtë, pa ofendime e me respekt të ndërsjellë kanë bërë thirrje edhe Bashkimi Evropian, KMLDNJ-ja, por edhe organizata joqeveritare në Kosovë./Zëri

COMMENTS

WORDPRESS: 0