Vetëvendosja paralajmëron protesta para 7 shtatorit

Vetëvendosja paralajmëron protesta para 7 shtatorit

Partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, para 7 shtatorit të këtij viti, kur do të mbahet takimi i radhës në Bruksel midis presidentëve Thaçi dhe Vuçiq, pritet t’i kthehet organizimit të protestave në sheshet e Prishtinës.  Kjo me qëllim, siç thonë ata, të kundërshtim të iniciativës së fundit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për “korrigjim të kufijve”, përkatësisht shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ismajl Kurteshi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se ende nuk kanë caktuar ndonjë datë të saktë se kur do të mbahet protesta e tyre, megjithatë ai ka bërë të ditur se ajo do të mbahet para se të nisë faza e radhës e dialogut me Serbinë, përkatësisht  para 7 shtatorit të këtij viti. “Ende nuk është caktuar ndonjë datë për fillimin e protestave. Ne nuk kemi marrë ndonjë përgjigje të veçantë nga grupet e tjera parlamentare.

Ato publikisht kanë deklaruar se do të jenë pjesë aktive të protestave në momentin kur ato të thirren. Ne konsiderojmë se shtatori është koha kur duhet të organizohen protesta, por nuk kemi marrë ende ndonjë vendim konkret. Koha më e përshtatshme do të jetë nga një shtatori, sepse deri atëherë deputetët janë në pushime. Ne nuk e kemi vendosur datën, por do të ishte mirë t’i paraprihej takimit në Bruksel”, ka thënë Kurteshi.
Mes të tjerash ai ka shtuar edhe se presidenti Thaçi është i vetëm në dialog me Serbinë, pasi që siç ka thënë Kurteshi ai nuk i përfaqëson interesat e Kosovës në Bruksel.

“Tanimë Thaçit i është thënë publikisht dhe zyrtarisht nga subjektet opozitare që këto takime konsiderohen takime private të tij, por jo si njeri që përfaqëson interesat private të tij dhe jo si njeri që përfaqëson interesat e Kosovës”, ka theksuar Kurteshi.

Ndërkohë, në lidhje me protestën e paralajmëruar nga LVV-ja deputetë të Partisë Socialdemokrate më herët kishin thënë se do të marrin masa institucionale paraprakisht, pasi që, sipas tyre, është ende herët për protesta?/Zëri

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0