Veseli për Demarkacionin: U treguam të pasuksesshëm sot para ndërkombëtarëve

Veseli për Demarkacionin: U treguam të pasuksesshëm sot para ndërkombëtarëve

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, thotë se Kosova mund të tregonte sukses sikur të votohej Demarkacioni sot kur delegacioni i lartë i BE’së qëndruan në Prishtinë.

Veseli është shprehur i kënaqur me vizitën e Presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kryediplomates evropiane, Federcia Mogherini, dhe komisionerit Johannes Hahn. Por, Kryeparlamentari thotë se i vjen keq që deputetët nuk dëshmuan përkushtimin e Kosovës për liberalizimin e vizave, duke mos u votuar demarkacioni.

Ky është shkrimi i plotë i Veselit në Facebook:

Takimi dhe biseda me Presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker dhe zyrtarët tjerë të lartë të BE-së, ishte një konfirmim i perspektivës së qartë europiane të Kosovës.

BE-ja, me gjithë vështirësitë që ka, po e qartëson pozicionin ndaj Kosovës.

Për fat të keq, një pjesë e përfaqësuesve të popullit, duke u thirrur zëshëm në emër të tij, nuk reflektuan sot për të ratifikuar Marrëveshjen e Shënimit të Kufirit me Malin e Zi dhe për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.

Sot, ne mund të ishim të suksesshëm dhe krenarë. Izolimi dhe dështimi nuk janë opsione që ndihmojnë qytetarët tanë.

Shtyrja e seancës, si kërkesë disaditëshe për konsensus, dhe mosvotimi pikërisht në ditën e vizitës së zyrtarëve më të lartë të BE-së, nuk do t’i ndihmojë lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë.

Unë do të vazhdoj angazhimin, me përkushtim të plotë, për t’i hapur rrugë liberalizimit, duke arritur konsensusin e domosdoshëm që në ditët e ardhshme të ratifikohet Marrëveshja për Kufirin me Malin e Zi.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0