Vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave mbetet i pakthyeshëm

Vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave mbetet i pakthyeshëm

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar nuk mund të kthehet prapa. Pavarësisht kundërshtimeve nga opozita, por edhe një pjesë e shoqërisë civile, sipas ekspertëve ligjorë, mënyra e vetme për të rregulluar çështjen e pagave mbetet miratimi i Ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë.

Florent Spahija, ekspert ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi i Kosovës një ligj të tillë mund të bëjë në mënyrë të përshpejtuar.

“Që të ndryshohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, mundësia e vetme do të thosha është miratimi i Ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë. Me ligj, Kuvendi do të kufizonte ose do të miratonte vendimin e Qeverisë dhe do të vepronte në atë mënyrë që ligji do të kufizonte pagën e kryeministrit, ministrave, zëvendësministrit, zyrtarëve të lartë qeveritarë apo zyrtarëve të tjerë qeveritarë që me vendimin e Qeverisë kanë përfituar nga rritja e pagave”.

“Në këtë rast, Kuvendi mundet në çdo kohë edhe me iniciativa ligjore që mund të vinë nga deputetet e opozitës, deputetë tjerë apo vetë Ministria e Financave të mund të bëjë një iniciativë të tillë ligjore dhe në mënyrë të përshpejtuar të miratohet një ligj i tillë kaq i rëndësishëm për Kosovën”, thotë Spahija.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, mori vendim që t’ia rrisë pagat kabinetit qeveritar. Vendimi u pezullua për disa muaj, derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi më 11 qershor se ai nuk është jokushtetues.

Sipas këtij vendimi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të bëhet 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore nga 1,150 euro.

Vendimi për rritjen e pagave ka marrë tashmë edhe një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e cila pavarësisht pretendimeve të opozitës nuk e kishte cilësuar atë si jokushtetues. (REL)

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0