Vazhdojnë reduktimet, qytetarët ankohen për mungesën e energjisë elektrike

Vazhdojnë reduktimet, qytetarët ankohen për mungesën e energjisë elektrike

Derisa po ashpërsohen reduktimet e energjisë elektrike, qytetarët po ankohen çdo ditë e më shumë. Ata kërkojnë nga KEDS-i që të furnizojë Kosovën rregullisht me energji elektrike ose të largohet nga vendi. Prokuroria ndërkaq nuk ka konfirmuar nëse ka nisur hetimet për këtë çështje.

Njoftimet nga KEDS-i se do të ketë reduktime për shkak siç thuhet, intervenimeve të caktuara nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, u duken të shpeshta dhe të paarsyeshme qytetarëve.

Ndërprerja e energjisë elektrike po i shkakton vështirësi të mëdha një familjeje në Fushë Kosovë, tregon e zonja e shtëpisë, Grisha Sekiraqa.

“Javët e fundit rryma na është ndalë shumë shpesh. Ka pasur rast deri në gjashtë kemi mbetur pa energji elektrike. Shumë vështirësi po na sjellës kjo mungesë e rrymës. Nxemja pa rrymë nuk po punon, këtu stufa nuk ka”, ankohet banorja e Fushë Kosovës, Grisha Sekiraqa.
Qytetarët e frustruar thonë se duhet të ndërmerren masa për këtë ndërprerje të energjisë elektrike.

“Katastrofë. Mendoj që ky problem do të ishte dashur të tejkalohet deri më tani”, shprehet qytetarja Halide Sadiku.

“Për mua shumë pa lidhje është. Jetojmë në shekullin XXI dhe nuk kemi rrymë. Është e çuditshme”, shprehet qytetari tjetër Afrim Sokoli.
“Katastrofë. Me qëndrua pa rrymë dhe pa nxemje në këto ditë”, thotë e moshuara Zahide Krasniqi.

Ka prej atyre që nuk i konsiderojnë tragjike reduktimet.

“Ne kemi jetuar edhe pa rrymë. Nëse ndalet ndonjëherë nuk është punë e madhe. Kemi drita tjera që përdorim”, tha qytetari Nazmi Gashi, përcjell Telegrafi.

Mirëpo një organizim masiv nga qytetarët kundër KEDS-it është bërë në rrjetin social facebook. Qytetarët shkruajnë #jalshojerrymenjaKosovën.

Për këto reagime, Viktor Buzhala në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjinin thotë se kërkesa për energji i ka thyer rekordet, mirëpo përsëri po ia dalin që Kosovën ta furnizojnë me energji elektrike.

“Reduktime nuk ka, pra KEDS po e mbulon tere kërkesën nga prodhimi vendor dhe nga importi. Kërkesa për energji i ka thyer te gjitha rekordet, por po mbulohet komplet. Nëse rrëzohet ndonjë shtyllë apo paraqet rrezik, sigurisht qe do të intervenojë menjëherë.” thuhet në përgjigjen me shkrim nga Viktor Buzhala.

Për këtë çështje kishte reaguar edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj duke thënë se nuk e toleron që vendi i tij të mbetet me orë të tëra pa energji elektrike prandaj nëse nuk respektohet kontrata me KEDS-in mund të shkëputet.

RTV Dukagjini ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore, nëse kanë nisur hetimet për reduktimet e ashpra të energjisë elektrike, por zyrtarët e prokurorisë nuk u përgjigjen për një çështje të tillë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0