Toka, shtëpi, vetura, para cash – kah i bënë milionat politikanët kosovarë

Toka, shtëpi, vetura, para cash – kah i bënë milionat politikanët kosovarë

Derisa në vend ka ende qytetarë që tërë ditën e kalojnë me vetëm 1 euro e 30 centë, të tjerë tashmë i kanë bërë milionat. Bëhet fjalë për zyrtarët e shtetit, pasuria e të cilëve arrin vlera marramendëse. Behgjet Pacolli, Agim Bahtiri, Pal Lekaj, Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri e Ramiz Kelmendi, janë vetëm disa prej zyrtarëve që zotërojnë toka, banesa, shtëpi, vetura, avionë e mijëra euro para të gatshme. Por, ka edhe zyrtarë të cilët thonë se janë zhytur në borxhe. Kadri Veseli është një prej tyre që ka deklaruar kështu.

Sinonim për milionat në vend edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet emri i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli.

Shtëpitë, tokat milionëshe, avioni privat, tetë veturat, aksionet në 20 kompani e miliona euro para të gatshme nëpër institucione financiare i mundësojnë atij që të jetë i pari në listën e zyrtarëve milionerë të vendit.

Edhe këtë vit, Ministri i Punëve të Jashtme ka deklaruar pasuri milionëshe.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Pacolli ka deklaruar se ka në pronësi pasuri të paluajtshme jashtë Kosovës në vlerë prej 125 milionë euro, si dhe  toka e lokale afariste që kushtojnë miliona euro.

Vetëm një tokë e tij jashtë vendit kushton më shumë se 7 milionë euro, derisa një prej shtëpive të tij jashtë vendit kushton mbi 17 milionë euro. Ai ka në pronësi edhe hotelin Sëiss Diamond, vlera e të cilit llogaritet të jetë rreth 42 milionë euro.

Si pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar se ka avionin e tij privat që kushton rreth 10 milionë euro, dhe tetë veturat e tij që së bashku kushtojnë rreth 1 milionë euro.

Pasuria e zëvendëskryeministrit të Kosovës nuk mbaron këtu. Ai ka edhe aksione milionëshe në 20 kompani dhe rreth 5 milionë euro para të gatshme nëpër bankat e vendit.

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth 2 milionë euro. Këto para ai i merr nga Banka Ekonomike, Mabetex Holding dhe si mëditje nga Qeveria e Kosovës.

Në mesin e milionerëve që ka vendi radhitet edhe bashkëpartiaku i Pacollit, Agim Bahtiri. Vetëm një tokë bujqësore që i përket atij kushton miliona euro.

I pari i Komunës së Mitrovicës në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se ka në pronësi një tokë bujqësore në vlerë prej 6 milionë e 200 mijë euro, të cilën e ka trashëguar nga prindërit.

Ai ka në pronësi edhe katër shtëpi të tjera, vlera e të cilave shkon në më shumë se 1 milionë euro.

Bahtiri ka edhe një veturë Audi Q7, vlera e së cilës sillet rreth 10 mijë euro.

Para të kursyera në bankë ai ka rreth 10 mijë euro, derisa ka edhe detyrime financiare në vlerë rreth 450 mijë euro, të cilat i kishte marrë për blerjen e shtëpisë.

Të hyrat vjetore të tij sillen rreth 18 mijë euro, derisa fëmijët e tij marrin në vit 336 mijë euro.

Nga tokat që kanë trashëguar nga prindërit janë kthyer në milionerë edhe Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

I pari i Komunës së Gjilanit ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se është pronar i gjithsej 13 tokave të trashëguara nga babai, të cilat e bëjnë edhe milioner.

Përveç tokave, Lutfi Haziri është pronar edhe i një banese, vlera e së cilës është 100 mijë euro.

“Këto paluajtshmëri deri në vitin 2015 kanë qenë të evidentuara në emër të prindit (babait) tim, mirëpo pas vdekjes së tij është shqyrtuar pasuria trashëgimore, në procedure para noteri, të datës 11.11.2015 dhe nga kjo bazë tani këto paluajtshmëri në Regjistrin e të Drejtave të Pronave të Paluajtshme evidentohen në emrin tim. Ndërsa tri ngastrat kadastrale janë gjithashtu pronë e trashëguar nga prindi, por të cilat janë si prona të gjetura më vonë por të evidentuara me emër të personit të tretë”, ka shpejguar Haziri.

Si pasuri të luajtshme, Haziri ka deklaruar veturën e bashkëshortes së tij.

Vetura që ka në pronësi zonja e parë e Gjilanit është e llojit Hyunday Matrix dhe kushton 3 mijë euro. Ndërkohë, vlera e parave të gatshme që ka Haziri në banka sillet rreth 120 mijë euro.

Edhe Minstri Pal Lekaj po del të ia ketë parë hajrin tokës bujqësore.

I pari i Ministrisë së Infrastrukturës ka deklaruar se ka në pronësi një tokë që kushton 1 milion e 500 mijë euro, dhe një shtëpi që kap shifrën e 350 mijë euro.

Lekaj po del të jetë goxha merakli i veturave. Ai ka në pronësi dy vetura. Njëra është e llojit Mercedes (2009), që kushton 13 mijë e 500 euro, derisa tjetra është e llojit BMË 525 F10 (2012), që ka vlerë 18 mijë euro.

Të gjitha këto Lekaj thotë se i ka trashëguar nga familja.

Para të gatshme ai vetë nuk ka, por gruaja e tij dhe fëmijët e tij kanë rreth 13 mijë euro “cash”.

Kredisë nuk i ka shpëtuar as Lekaj. 75 mijë euro është shuma e borxhit që ai ka ndaj bankave, derisa të hyrat vjetore të tij janë vetëm nga paga që merr si Ministër i Infrastrukturës, përkatësisht 22 mijë euro.

Milionat kanë “arritur”edhe në shtëpinë e Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit.

Katër shtëpitë e tokat që ka ai në pronësi të përbashkët me familjarët e tij kushtojnë rreth 2 milionë e 500 mijë euro. Disa prej tyre thotë t’i ketë blerë, e disa t’i ketë trashëguar.

Në regjistrin e deklarimit të pasurisë, i pari i Pejës si pasuri të lujtshme ka deklaruar dy veturat e bashkëshortes së tij, vlera e të cilave sillet rreth 26 mijë euro.

Por, edhe Muhaxheri është i zhytur në kredi. Vlera e parave që ai iu detyrohet institucioneve financiare sillet rreth 100 mijë euro.

Të hyrat vjetore të familjes Muhaxheri sillen afër 35 mijë euro.

Në listën e milionerëve që ka Kosova gjendet edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Deputeti Ramiz Kelmendi në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se ka dy shtëpi në vlerë prej 230 mijë euro, dhe dy toka që kushtojnë 45 mijë euro.

Por, Kelmendin milioner e bën kompania e tij “Elkos”. Vlera e aksioneve që ai ka në këtë kompani sillet në mbi 120 milionë euro.

Kelmendi ka vetëm rreth 3 mijë euro të kursyera në bankë, derisa nuk ka asnjë detyrim financiar.

Të hyrat vjetore të tij sillen rreth 80 mijë euro, që ai i merr nga Kuvendi i Kosovës dhe “Elkos”, ndërsa të hyrat e bashkëshortes janë rreth 48 mijë euro në vit.

Gazeta Express ka raportuar gjatë gjithë rreth pasurisë që posedojnë zyrtarët e shtetit. Deklarimet e pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë mund t’i gjeni në këtë link./Express

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0