Tmava: Ministri nuk ka kryer obligimet e veta, s’ka pse flet për udhëtimet e mia

Tmava: Ministri nuk ka kryer obligimet e veta, s’ka pse flet për udhëtimet e mia

(EkonomiaSot) – Gjatë një konference për media, ministri i Zhvillimit ekonomik Valdrin Lluka ka folur për zhvillimet në ndërmarrjen Trepça.

Në pyetjen e gazetarëve se përse drejtori i Trepçës Ahmet Tmava ka marrë pjesë në samitin e burimeve natyrore në Kanada Lluka ka thënë se nuk e ka ftuar këtë të fundit dhe se nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga drejtori i Trepçës për të marrë pjesë në këtë udhëtim zyrtar.

“Sa i përketë vizitës së drejtorit në Kanda edhe unë kam qenë i surprizuar, edhe pse nuk ka nevojë për ndonjë miratim nga ana jonë, ai ka marrë pjesë edhe pse nuk ka pasur mandat dhe kjo le të mbetet nën etikën e tyre” tha Lluka.

EkonomiaSot e ka kontaktuar drejtorin e Trepçës, Ahmet Tmava, për ta pyetur në lidhje me deklaratën e ministrit Lluka.

Tmava ka thënë se përderisa ministri nuk i ka kryer punët e veta në lidhje me Trepçën nuk ka të drejtë të ndërhyjë e të flasë.

“Mas pari ai s’ka pasë të drejtë me ndërhy sepse ai nuk i ka kry punët e veta që i ka pasë për me e ba bordin dhe me e zyrtarizu. Deri ditën e sotme unë kam qenë menaxher i Trepçës dhe i kam kry detyrat që më kanë taku, kurse çka ka thënë ai është problem i tij. Ato janë probleme të vetat sepse qe 17 muaj është aprovu ligji dhe të them të drejtën nuk ja vlenë mu marr me ta” tha ai.

Tmava tha se nuk është në dijeni nëse po zhvillohen bisedime me Listën Serbe për pjesët e tjera të Trepçës që janë në veri të Mitrovicës derisa përfundoi duke thënë se derisa nuk kryhen obligimet Ligjore Trepça do të mbetet në gjendjen çfarë është aktualisht.

EkonomiaSot kujton se Ligji për Trepçën ishte miratuar në Kuvend në tetor të vitit 2016. Miratimi atëherë ishte bërë me mjaft pompozitet, dhe ky veprim konsideroj si shpëtimi i ndërmarrjes. Mirëpo që nga atëherë Ligji nuk është vënë asnjëherë në zbatim. / EkonomiaSot.com

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0