Thaçi përsëri ndryshon fjalët, tash thotë se e vlerëson iniciativën franko-gjermane për dialogun

Thaçi përsëri ndryshon fjalët, tash thotë se e vlerëson iniciativën franko-gjermane për dialogun

Njësoj sikurse për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ndryshon fjalët edhe sa i përket iniciativës së Gjermanisë dhe Francës për zgjidhjen e ngërçit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Që pas datës 29 prill, Thaçi kishte shfrytëzuar çdo ekran televiziv e fjalim publik për të zhvleftësuar gjithë atë që kishte ndodhur në Samitin e Berlinit.

Ai vazhdimisht e potenconte se takimi në kryeqytetin gjerman, kishte qenë një dështim, pasi, sipas tij, për Samitin nuk kishte pasur koordinim me SHBA-ja.

Megjithatë, kur kanë kaluar më shumë se dy muaj, qëndrimi i tij për iniciativën e Angela Merkelit dhe Emanuel Macronit ka ndryshuar.

Tashmë Thaçi vlerëson përpjekjen e tyre për të gjetur një zgjidhje sa i përket problemit Kosovë-Serbi.

Një deklaratë të tillë kreu i shtetit e ka bërë sot gjatë qëndrimit të tij në Tiranë.

“Vlerësoj iniciativën franko-gjermane, jam gjithashtu inkurajues me mbështetjen e SHBA-së”, ka thënë Thaçi, shkruan Gazeta Express.

Sipas tij, një koordinim maksimal i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mundë të rezultojë me sukses për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke.

Ai ka thënë se storia e Kosovës është storie e suksesit të plotë vendor dhe ndërkombëtar, pasi është njohur nga 116 shtete dhe anëtarësuar në rreth 200 organizata ndërkombëtare.

Ndërkohë nuk ka pranuar të flasë për zhvillimet politike në Shqipëri.

“Unë nuk jam këtu për të dhënë vlerësime për zhvillimet e brendshme në Shqipërinë, e dua Shqipërinë, i gjithë kombi e do Shqipërinë stabile, unike, respektim të institucioneve, të Kushtetutës, ligjeve, të demokracisë, të pluralizmit, ndërsa i mbetet vetë popullit të vlerësojnë zhvillimet”, tha ai.

Thaçi është pyetur edhe për deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka quajtur argat të Serbisë. Për këtë Thaçi tha se në Shqipëri ka fushatë elektorale, prandaj është e pamoralshme që të inkorporohet në këto debatet e brendshme. /GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0