Thaçi për listat e veteranëve të rrejshëm: Çështja të zgjidhet me moral, ligj dhe etikë

Thaçi për listat e veteranëve të rrejshëm: Çështja të zgjidhet me moral, ligj dhe etikë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për çështjen e korrigjimit të kufijve, bisedimet me Serbinë dhe listat e veteranëve të rrejshëm që janë publikuar së fundmi.

Thaçi për listat e veteranëve është shprehur se duhet të tregohen të kujdesshëm të gjithë, pasi ky është një proces kompleks dhe, sipas tij, duhet të punohet sipas ligjit por edhe me moral e etikë që të përfundojë me sukses evidentimi i veteranëve të vërtetë të luftës.

“Duhet të jemi të kujdesshëm, të mos bëjmë deklarime emocionale apo me ngjyrime politike. Ky nuk do të jetë një proces i lehtë, por nëse punohet me ligj, moral dhe etikë, gjërat janë të thjeshta”, është shprehur Thaçi.

Ai ka thënë se i jep mbështetje të plotë sistemit të drejtësisë për përfundimin e suksesshëm të këtij procesi, duke theksuar se nuk duhet t’u mohohet kontributi atyre që kanë luftuar dhe se nuk guxojnë të figurojnë në lista ata që nuk kanë luftuar.

“Duhet t’i japim mbështetje të plotë sistemit të drejtësisë për përfundimin me sukses të këtij procesi. Duhet të evitohen gabimet dhe askujt të mos i mohohet angazhimi dhe përpjekja në luftë. Po ashtu, askush s’ka të drejtë t’i njollosë ushtarët e UÇK-së, askush të mos marrë primatin e luftëtarit e të mos jetë luftëtar”, ka thënë Thaçi.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0