Thaçit më në fund i kujtohet t’i përmendë krimet e Serbisë në Kosovë

Thaçit më në fund i kujtohet t’i përmendë krimet e Serbisë në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbyllur fjalimin në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, duke ia numëruar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, krimet e Serbisë në luftën e Kosovës.

Duke përmendur masakrat, numrin e grave të dhunuara, civilëve të vrarë e shumë krime të tjera, Thaçi ka thënë se “Dihet viktima dhe dihet agresori”. Këtë e tha duke iu përgjigjur Vuçiqit që akuzoi palën e Kosovën, për spastrim etnik ndaj serbëve.

“Dihet viktima, dihet agresori. S’ka dhe s’do të ndodhë rishkrim i historisë. Lufta ka ndodhur në shekullin e shkuar. Duhet ta numëroj disa fakte para jush sepse detyrohem. I pëlqeu dikujt apo jo, shteti i Serbisë ka vrarë 13500 civilë shqiptarë. Aparati shtetëror i tyre, formacionet ushtarake, kanë dhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare. 13500 civilë shqiptarë të vrarë, asnjë i akuzuar e lëre më i dënuar. As për 20 mijë gratë e dhunuara, asnjë i dënuar. Një milion shqiptarë të dëbuar. 40 për qind e infrastrukturës e shkatërruar. 400 masakra kundër shqiptarëve, asnjë i akuzuar lëre më i dënuar. Izbicë, 160 të vrarë, të moshuar, gra, fëmijë. Në Krushë, 250 civilë të vrarë, gra, pleq fëmijë. 64 të pagjetur, askush i akuzuar e i dënuar. 360 në Mejë. Asnjë i akuzuar e asnjë i dënuar. Studime, Reçak, Rezallë, Obri e masakra të tjera”.

“Theksoj se luftëtarët e Kosovës kanë kaluar nëpër procedura të drejtësisë të misionit të OKB-së, UNMIK-ut, paralelisht me Tribunalin e Hagës, EULEX-it tash e 20 vjet. Kosova duke dashur të tregojë përgjegjësinë e lartë shtetërore, duke besuar në të vërtetën, në drejtësi, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, me BE-në, ka themeluar vet Dhomat e Specializuara, që t’u përgjigjen thirrjeve të tyre. Edhe pse jemi viktima, sot në Kosovë, më tepër ka të dënuar shqiptarë për krime lufte sesa serbë. Në Serbi s’ka asnjë të dënuar për spastrimin etnik e për kryerjen e 400 masakrave në Kosovë. Madje s’ekziston fare zyra për këto çështje”, ka thënë Thaçi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0