Thaçi i blen kamerat e shtëpisë me para të Presidencës

Thaçi i blen kamerat e shtëpisë me para të Presidencës

Zyra e Presidentit të Kosovës përmes tenderit publik ka pajisur me kamera të sigurisë shtëpinë private të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, që ndodhet në Çagllavicë. Plot 3 mijë e 60 euro kanë kushtuar mbi 20 kamera sa do të montohen përreth shtëpisë së Presidentit, përcjell Buletini Ekonomik.
Pajisja me kamera të sigurisë, siç thuhet në dosjen e tenderit, është bërë me kërkesë të Policisë së Kosovës, për shkaqe sigurie, por aty shtëpisë së Thaçit në Çagllavicë, Zyra e Presidentit i referohet si “rezidenca presidenciale”.

“Planifikimin për instalimin e Sistemit të Kamerave Vëzhguese në Rezidencën e Presidencës, më qellim për marrjen e masave të sigurisë për sigurimin e Rezidencës në bazë të rekomandimeve të Policisë së Kosovës”, thuhet aty.

Buletini Ekonomik ka pyetur në Presidencë rreth kualifikimit “rezidencë presideniale”, por askush nga zyrtarët nuk kanë qenë të gatshëm t’i japin sqarimet e nevojshme.

Zyrtarisht shteti i Kosovës nuk ka rezidencë presidenciale. Ka qenë pikërisht presidenti Thaçi i cili në fillim të këtij viti i propozoi Kuvendit, që institucionet shtetërore të barten në Hajvali, kur përfshihej edhe ndërtimi i një rezidencë presidenciale.

Buletini Ekonomik ka siguruar edhe kontratën për furnizim me kamera të sigurisë të arritur mes Zyrës së Presidentit si autoritet kontraktues dhe kompanisë “Apec”.

Shtëpinë ku po jeton aktualisht, presidenti Thaçi nuk e deklaroi në Agjencinë Anti- Korrupsion, kurse deklarimet e reja të pasurisë nisin të publikohen në mars të këtij viti.

Në kohën sa ka qenë kryeministër Thaçi ka jetuar me qira derisa kishte braktisur planet për ndërtimin e një shtëpie mbi 2 mijë metra katror në Veternik. Shtëpi e cila më vonë iu shit Rrahim Pacollit dhe për çka presidenti vazhdimisht ka deklaruar se ka paguar kredi për të. /Buletini Ekonomik/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0