Thaçi e konfirmon: Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti po e kërkojnë suspendimin e taksës

Thaçi e konfirmon: Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti po e kërkojnë suspendimin e taksës

Amerikanët që kanë ardhur që nga dita e djeshme në Kosovë dhe po qëndrojnë ende në vend, kanë mbajtur sot takim me Presidentin Hashim Thaçi dhe Ekipin Negociator. Por, në komunikatën e dërguar nga Presidenca, thuhet se në takim u diskutua edhe për suspendimin e taksës, për të cilën thuhet se Ekipi Negociator ishin pro kërkesës së amerikanëve për suspendimin e saj.

Në një komunikatë për media dërguar nga Presidenca thuhet se të gjithë anëtarët e Ekipit Negociator, në krye të së cilit janë Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, kanë shprehur gatishmërinë e tyre dhe respektimin e këshillës së SHBA’së për suspendimin e taksës dhe rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, shkruan Gazeta Express.

“Të gjithë anëtarët e Ekipit Negociator kanë shprehur shqetësimin për veprimet agresive të Beogradit, por në të njëjtën kohë kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-së për suspendimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel”, shkruan në komunikatë.

Në këtë takim, gjithashtu është biseduar për procesin e dialogut përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet e këtij procesi dhe tejkalimin e pengesave aktuale, “duke përfshirë këshillat e SHBA-së për domosdoshmërinë e suspendimit të përkohshëm të taksës dhe rifillimin e dialogut, si dhe për shtimin e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.

Komunikata thotë se “ishte konstatim i përbashkët se marrëveshja duhet të jetë përfundimtare me njohje reciproke”.

Po ashtu, presidenti Thaçi edhe në takimin e sotëm ka ripërsëritur qëndrimin se me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë speciale me SHBA-në.

Presidenti Hashim Thaçi, sot ka pasur një takim të përbashkët me drejtorin kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath, drejtorin për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley, si dhe me Ekipin Negociator të Kosovës, përkatësisht me zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Dardan Gashi dhe me kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmeti

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0