Tha se punëtorët e tij e votojnë PDK-në, Prokuroria nis hetimet ndaj Ramiz Kelmendit

Tha se punëtorët e tij e votojnë PDK-në, Prokuroria nis hetimet ndaj Ramiz Kelmendit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj biznesmenit Ramiz Kelmendi pas deklaratave të tij në një televizion, ku tha se votat e punëtorëve të tij do të shkojnë për Partinë Demokratike të Kosovës.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur Prokuroria përmes një komunikate drejtuar mediave.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion se, pas deklaratave publike të biznesmenit, R.K., i cili është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës, ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore, duke e iniciuar si rast paraprak penal, lidhur me veprën penale “Cenimi i paracaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 të KPK-së”, thuhet në komunikatë.

Kelmendi kishte deklaruar se është duke lobuar për partinë e Veselit dhe se po kërkon vota për të.

“Unë në të gjithë kohën dhe ne të kaluarën për të treguar për votën që e sjelli në parti dal dhe e kërkoj vullnetarisht atë, edhe tash shkoj vet edhe te bizneset edhe te të punësuarit e mi për të kërkuar vota për PDK”, kishte deklaruar ai.

Tutje ai kishte treguar se është hera e katër që kërkon vota nga punëtorët e tij, ndërsa hera e parë që nuk kërkon për vete.

“Është hera e parë që kërkoj votë prej punëtorëve të mi, të gjitha ato do të shkojnë për PDK-në”, kishte thënë Kelmendi. /Express

COMMENTS

WORDPRESS: 0