Testimi i cilësisë së naftës në Kosovë bëhet nga laboratori i pa akredituar

Testimi i cilësisë së naftës në Kosovë bëhet nga laboratori i pa akredituar

Ndonëse ekzistojnë dyshime të forta mbi cilësinë e naftës që importohet në Kosovë, një raport i Zyrës Kombëtare të Auditorit ka gjetur se edhe autoritetet shtetërore nuk kanë ndërmarrë mjaftueshëm masa për sigurimin e cilësisë së derivateve të naftës.0

Dogana e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk kanë rezultuar efektive në ndërmarrjen e masave të cilat do
të siguronin cilësinë e derivateve të naftës në import dhe në tregun e brendshëm.

Sipas një raporti të Auditorit Gjeneral, të emërtuar: “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës”, nënvizohet se Dogana e Kosovës ka testuar parametrat e derivateve të naftës pa qenë e akredituar.

“Laboratori i Doganës ka testuar parametra për të cilët nuk ka qenë i akredituar dhe nga muaji prill i vitit 2019 kryen testime pa akreditim”, thuhet në raport, teksa theksohet rëndësia e kontrolleve të tilla. “Kontrollet që u bëhen mostrave të përzgjedhura të derivateve të naftës duhet të jenë të besueshme. Kjo nënkupton që kontrollet e derivateve të naftës duhet të realizohen nga Trupa të akredituar.”

Sipas këtij raporti, laboratorët shtetëror të shteteve të rajonit siç është rasti i Shqipërisë që testojnë derivatet për cilësi, janë të akredituara nga Trupat përkatës të akreditimit të shteteve të tyre, raporton Insajderi.

Me kalimin e përgjegjësisë për kontroll të derivateve për cilësi tek Dogana, në prill të vitit 2017, laboratori u akreditua për testimin e disa parametrave të cilësisë nga Drejtoria e Akreditimit në Ministri, dhe një muaj pas këtij akreditimi iu shtuan edhe disa parametra të tjerë të akredituar.

“Edhe pse gjatë vitit 2017, laboratori ishte i akredituar, laboratori nuk kishte vendosur logon e Drejtorisë së Akreditimit në raportet e veta deri në vitin 2018, gjë që ishte në kundërshtim me kërkesat e politikës së Drejtorisë së Akreditimit e cila ishte në fuqi në atë kohë”, thuhet në raportin e Auditorit Gjeneral.

Që nga momenti i skadimit të akreditimit të laboratorit në prill të vitit 2019, thotë raporti, nuk është bërë kërkesë për të vazhduar akreditimin e laboratorit te Drejtoria e Akreditimit në Ministri “duke mos i respektuar kërkesat e standardit ISO/IEC 17025 për kompetencën e testimeve dhe kalibrimit të laboratorëve.”

Sa i përket kontrollit të brendshëm lidhur me cilësinë e naftës, Auditori Gjeneral ka gjetur se pikat e karburanteve në Kosovë janë inspektuar secila nga më së shumti, vetëm një herë gjatë vitit. /Insajderi/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: