Testi për rekrutë të FSK-së: Ministria u përgjigjet atyre që po dyshojnë për dallavere

Testi për rekrutë të FSK-së: Ministria u përgjigjet atyre që po dyshojnë për dallavere

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar për përfundimin e fazës së parë të seleksionimit të kandidatëve për rekrutë të FSK-së. Por, kur dje u publikuan listat pati shumë reagime të kandidatëve që ranë nga faza e parë e testimit, e një reagim të ashpër e bëri edhe deputeti i AAK-së Bekë Berisha. Ai tha se mënyra e përzgjedhjes së rekrutëve është e dyshimtë- duke aluduar në punësime me dallavere.

Kur në nëntor të vitit të kaluar u hap konkursi për pranimin e 650 rekrutëve të rinj në FSK, aplikuan gjithsej 6759 persona. Të gjithë këta i janë nënshtruar fazës së parë të testimit.

Por me shpalljen e rezultateve në publik u shfaqën edhe pakënaqësi. U dyshua për dallavere, për të cilat Ministria e Mbrojtjes ka një përgjigje.

“Nga faza e parë e testimit, në një proces të drejtë, profesional dhe transparent të vlerësimit, bazuar në kriteret dhe standardet e përcaktuara për shërbim në FSK, për të vazhduar garën e mëtejme janë përzgjedhur 1029 kandidatë. Lista e kandidatëve është shpallur në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes më 17 prill 2019”, thuhet në njoftimin e tyre, transmeton Gazeta Express.

Me tej Ministria e Mbrojtjes i fton të gjithë të pakënaqurit që ankesat me shkrim t’i dorëzojnë në Departamentin e Personelit, në Ministri të Mbrojtjes, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, deri më datë 26 prill 2019.

“Ankesat duhet të dorëzohen gjatë ditëve të punës dhe brenda orarit të rregullt të punës. Të gjitha ankesat do të shqyrtohen sipas rregullave dhe procedurave ligjore. Të gjithë të ankuarve do t’ju jepet mundësia t‘i shohin rezultatet e testeve të tyre dhe të njihen me procesin e vlerësimit”, përfundon njoftimi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0