Telekomi me 2500 punëtorë angazhoi kompani për organizimin e lojërave shpërblyese

Telekomi me 2500 punëtorë angazhoi kompani për organizimin e lojërave shpërblyese

Kompania “PayKos”, krahas marrëveshjes milionëshe për distribuimin e mbushjeve të Valas, në periudhën 2015-2018, u angazhua nga Telekomi edhe për organizimin e lojërave shpërblyese për klientët. Buletini Ekonomik ka siguruar dy marrëveshje të reja të Telekomit me ketë kompani në vlerë mijëra euro.

Mbi 2 mijë punëtorë sa kishte Telekomi i Kosovës në vitin 2017 nuk i kishin mjaftuar menaxhmentit që vetë t’i organizonte lojërat shpërblyese për klientët.

Ky aktivitet i përvitshëm i Telekomit iu besua kompanisë “PayKos”, e cila përveç kësaj kishte fituar me 2015 një kontratë milionëshe nga Telekomi për distribuimin e mbushjeve të Valas.

Buletini Ekonomik ka siguruar së paku dy marrëveshje komerciale të Telekomit me ketë kompani në vlerë mijëra euro, që kanë të bëjnë me organizimin e lojërave shpërblyese për klientët.

Marrëveshja e parë mban datën 8 gusht 2017 në kohën kur kryeshef ekzekutiv ishte Agron Mustafa dhe titullohej “Loja Shpërblyese për Klientët VALA Prepaid”. Marrëveshja u lidh mes Telekomit, Postës së Kosovës dhe kompanisë PayKos.

Vetëm për organizmin e kësaj lojë shpërblyese ku dhjetëra klientë fituan banesa, televizorë, llaptopa, e pushime në Antali, kompania PayKos fitoi rreth 100 mijë euro.

E, Posta e Kosovës për organizmin e këtij aktiviteti të thjeshtë mori mbi 60 mijë euro.

Në total, sipas marrëveshjes, për këtë aktivitet Telekomi shpenzoi gjithsej 163 mijë euro.

Buletini Ekonomik ka siguruar edhe një aneksë të kësaj marrëveshje të arritur me 14 shkurt 2018. Aty nuk përmenden shumat që fitoi PayKos, por vetëm lista e shpërblimeve që iu ndan konsumatorëve, e që arrinte një shumë prej 175 mijë euro.

Por historiku i kësaj kompanie me kontrata në Telekom daton qysh në vitin 2015 kur e njëjta kishte fituar një kontratë milionëshe vetëm katër muaj pasi ishte regjistruar si biznes në ARBK.

Kontrata që kishte si synim distribuimin dhe shitjen e mbushjeve Pre Paid, i mundësoi kësaj kompanie një fitim prej minimum 10 milionë euro për katër vite, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 përqind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “Pay-Kos”-it.

Buletini Ekonomik përmes një hulumtimi javën e kaluar ka zbuluar se prapa kësaj kompanie qëndron kompania e arkave fiskale “Gekos”, me pronar Enver Maliqin, biznesmen shqiptar që vepron në Maqedoni.

Si e vetme, gjithçka rreth PayKos është e paqasshme për publikun. Kompania madje nuk ka as ueb faqe dhe nuk mund të dihet asgjë rreth aktiviteteve të saj. /Buletini Ekonomik/

COMMENTS

WORDPRESS: 0