Të mbijetuarit e masakrës e “ftojnë” Vuçiqin në Reçak

Të mbijetuarit e masakrës e “ftojnë” Vuçiqin në Reçak

Të mbijetuarit e masakrës së Reçakut i kanë bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që ta vizitojë fshatin e tyre e t’i dëgjojë dëshmitarët te kompleksi memorial e nëpër vendet ku u masakruan 45 bashkëfshatarë civilë në ditën e 15 janarit 1999. Ende nuk janë gjetur eshtrat e Sahide Metushit.

Vuçiqi ka nxitur reagime të shumta brenda dhe jashtë Kosovës me mohimin e masakrës që zgjoi ndërgjegjen e botës demokratike në dimrin e vitit ’99. Atëherë shefi amerikan i misionit të OBSE-së në Kosovë, William Walker, pa me sytë e tij, në prani të mediave botërore, trupa pa kokë e me zemër të nxjerrë në krye të fshatit, shkruan sot Koha Ditore.

“Oh qysh po nihna, oh qysh po nihna…”, thotë i mbijetuari Nusret Shabani (79). Mezi e mban mërzinë brenda. Sytë i përloten, por shtrëngohet fort. I biri i tij, Bajrushi 21 vjeç, ishte në mesin e të masakruarve të Reçakut atë ditë të ftohtë në Reçakun nën rrethimin e hekurt ushtarak e policor serb.

“Më erdh çudë e madhe kur e niva atë ditë Vuçiqin, më erdh trishtim. Janë fjalë që nuk folen”, thotë Shabani. “Pse e thotë? E thotë sebepi që me u mbrojt prej të këqijave të veta. Qysh mundet me thanë një kryetar shteti, ‘s’u kanë kjo masakër’. A nuk po ze besë, hypi dramës, të garanton dikush, hajde këqyri këtu”.

“Ti lažeš”

Shabani thotë se Vuçiqi e di fort mirë se urdhrat për masakrën ishin dhënë nga Beogradi, porse ai do t’ia thoshte në sy në Reçak krimin e dokumentuar botërisht nga bashkësia ndërkombëtare.

“Pasha Zotin, e kisha mbajt një mbledhje në katun, edhe në komunë ban vaki, edhe le të vjen. Edhe Milosheviqit i kam pasë thanë në Hagë ‘hajde’, se më tha ‘ti llazhesh’ (ti po rren, v.j.)”, thekson Shabani, një prej pesë dëshmitarëve të Reçakut që ishin përballur sy më sy me Slobodan Milosheviqin në Tribunalin e Hagës. “Vallahi edhe Vuçiqin s’e kisha prek, veç me ardhë me këqyrë çka u ba këtu. Nuk është burrë, o ti”, thotë me mllef Shabani. “Walkeri e ka pranu, po këta janë të pabesë, këta janë të paftyrë. Unë nuk di qysh i fol ato fjalë presidenti i një shteti”.

Ramë Shabani (53), një tjetër reçakas i mbijetuar, thotë se fshati i ka përjetuar rëndë pretendimet e zyrtarëve më të lartë serbë se Reçaku ishte fabrikim për të nxitur reagimin ndërkombëtar kundrejt Jugosllavisë së dominuar nga Milosheviqi, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit, për krimet e kryera në luftërat e viteve nëntëdhjetë.

“Sot me thanë se në Reçak nuk ka pasur masakër, është shumë e rëndë për fshatin”, është shprehur Ramë Shabani, para shtëpisë së dëshmorit Sadik Osmani, ku ishin ndarë dhjetëra burra prej grave e fëmijëve të mbyllur në bodrum.

Familjarët kishin parë e dëgjuar britmat e të dashurve të tyre që po torturoheshin në oborr, para se të dërgoheshin në krye të fshatit. Aty i prisnin forcat serbe që do t’i pushkatonin e masakronin

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: