Të burgosurit ankohen për gjendjen higjienike, thonë se nuk keqtrajtohen

Të burgosurit ankohen për gjendjen higjienike, thonë se nuk keqtrajtohen

Avokati i Popullit ka publikuar një raport që i referohet vizitës nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) realizuar më 20 maj 2019.

Sipas njoftimit për media, thuhet se qëllimi i kësaj vizite ishte vlerësimi për respektimin e të drejtave të njeriut për të burgosurit e akomoduar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren (QPP), të cilat u garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve, si dhe zbatimi i rekomandimeve të MKPT-së të dërguara autoriteteve kompetente përmes Raportit me rekomandime për vizitën në QPP, më 31 tetor 2017, i publikuar më 25 janar 2018.

“Gjatë vizitës në QPP realizuar nga MKPT-ja, personeli i shërbimit korrektues dhe personeli i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve i kanë ofruar ekipit monitorues bashkëpunim të plotë. MKPT-ja ka intervistuar një numër të konsiderueshëm të burgosurish dhe nuk ka marrë asnjë ankesë për keqtrajtim fizik apo për përdorim të tepruar të forcës fizike të ushtruar nga zyrtarët korrektues. Sa u përket kushteve të akomodimit, MKPT-ja ka vërejtur se, në disa raste, hapësirat e banimit për të burgosurit nuk janë në pajtim me dispozitat e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP) dhe as me standardet e përcaktuara nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës. MKPT-ja ka pranuar ankesa nga të burgosurit për mungesë të mjeteve higjienike. Po ashtu, MKPT-ja ka vërejtur se dushet, në pjesën ku akomodohen të paraburgosurit, nuk ishin në gjendje të mirë higjienike dhe as teknike”, thuhet në raport.

Sa i përket regjimit, MKPT-ja ka vërejtur se të dënuarit angazhohen në punë për pastrim, në kuzhinë dhe për mirëmbajtje të caktuara të objektit. Të dënuarit kanë mundësi të dalin në shëtitje gjatë gjithë kohës, dyert i kanë të hapura prej orës 7:00 të mëngjesit deri në orën 7:00 të mbrëmjes. Përpos shëtitjes, ata kanë në dispozicion një tavolinë ping-pongu, lojën e shahut dhe letra domino.

COMMENTS

WORDPRESS: 0