Sot një vit Kosova kërcënohej nga miqtë ndërkombëtarë

Sot një vit Kosova kërcënohej nga miqtë ndërkombëtarë

Një vit më parë, saktësisht më 22 dhjetor të vitit të kaluar deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin mbledhur nënshkrimet për të thirrur seancë të jashtëzakonshme. Ato kishin vetëm një qëllim – shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Iniciativa për mbledhjen e nënshkrimeve nga deputetët kishte qenë, nga deputeti i PDK-së, Nait Hasani. Nënshkrimet e mjaftueshme për të thirrur seancë ishin mbledhur, por që më pas nuk ishte ftuar asnjëherë, shkruan Insajderi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete të QUINT-it, kishin ‘kërcënuar’ Kosovën se Kuvendi nuk duhet ta shfuqizojë Gjykatën Speciale. Kishin thënë se Kosova rrezikon të kthehet në pikën zero dhe do t’i humbas miqtë.

Shoqatat e dala nga lufta i kishin mbledhur rreth 16 mijë nënshkrime për çështjen e Ligjit për themelimin e Gjykatës Speciale.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Greg Delawie kishte reaguar ashpër ndaj iniciativës. Kishte shkuar në hollin e kuvendit të Kosovës dhe bënte thirrje që të mos shfuqizohet Gjykata Speciale.

Thoshte se një veprim i tillë do ta izolonte shtetin e Kosovës në nivelin global. Madje ai e quante ide të çmendur.

“Ideja për ta ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale mund ta izolojë Kosovën me gjithë botë. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni kohën prapa”, thoshte ambasadori Delwie në Tëitter.

Kundër kësaj ideje ishte deklaruar LDK dhe VV. Isa Mustafa thoshte se shfuqizimi i Gjykatës Speciale është rrënim për shtetin e Kosovës.

“Si kryetar i LDK-së i konsideroj rrënuese për shtetin tonë dhe të dëmshme për drejtësinë iniciativat për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. E përkrah plotësisht qëndrimin e grupit tonë parlamentar për këtë çështje”, thoshte Mustafa.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt kishte paralajmëruar se nëse deputetët vendosin për anulimin e Gjykatës Speciale, Kosova do t’i dëmtojë marrëdhëniet me miqtë e saj ndërkombëtar.

“Angazhimi në sundimin e ligjit është një gur themel për zhvillimin e Kosovës. Dhomat e Specializuara janë pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit të Kosovës. Çdo përpjekje për të ndryshuar këtë ligj mund ta vendosë Kosovën prapa në kursin e saj Euro-Atlantik dhe të dëmtojë marrëdhëniet me miqtë e saj më të afërt”, thoshte ambasadori gjerman Christian Heldt.

Në anën tjetër mbledhja e kryesisë së Kuvendit, kishte dështuar disa herë me radhë, për shkak të mungesës së kuorumit, shkruan Insajderi.

Por, pas kësaj një takim tjetër ishte zhvilluar. Presidenti, Hashim Thaçi, ishte takuar me kryeministri, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn.

Por, presidenti i vendit Hashim Thaçi kishte hartuar një plan të detajizuar për ta shpëtuar veten nga aktakuza. Ai ka dashur që Kuvendi ta ndryshojë ligjin, por në fund mos ta nënshkruaj atë.

Gjatë afatit prej tetë ditësh që kishte për nënshkrimin e Ligjit, kishte planifikuar të negociojë me ndërkombëtarët dhe të marrë garanci se nuk do të akuzohet në mënyrë që mos ta nënshkruaj Ligjin.

Ky plan ka dështuar kur Limaj ka kërkuar që hyrja në fuqi e Ligjit të ndodh në momentin e miratimit në Kuvend e jo në momentin e nënshkrimit nga presidenti. Kjo pikë ka shkatërruar gjithë planin e Thaçit.

Sot kanë kaluar një vit nga tentimi i deputetëve për të shfuqizuar Gjykatën Speciale. Deri më tani janë ftuar për intervistim vetëm 7 persona, ndërsa nuk dihet nëse janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve apo të dëshmitarëv.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0