Sot mbahet seanca konstituive e Kuvendit

Sot mbahet seanca konstituive e Kuvendit

Ndërkohë që dy partitë për formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë, sot pasdite do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së shtatë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Dje, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk i ka shpallur të përfunduara negociatat për qeverinë e re, por ka thënë se në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje dhe LDK shkojnë pa marrëveshje.

Konform vendimit të presidentit Hashim Thaçi, edhe kryesia e Kuvendit konfirmoi se seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet prej orës 15:00.

Në përbërjen e re parlamentare do të jenë të përfaqësuara 14 subjekte politike.

Në seancën e sotme konstituive deputetët e rinj do të betohen, ndërsa është e paraparë edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Kryetarin e propozon partia fituese që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje.

Seanca do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, përkatësisht Jahja Koka, shoqëruar nga deputeti më i ri, në rastin konkret, deputetja Fjolla Ujkani, që të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pikë e parë e seancës do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve.

Po ashtu janë përcaktuar edhe ulëset për grupet parlamentare.

Kështu, konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar që është Vetëvendosje do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë e që është LDK në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë që është PDK në anën e majtë të kryesuesit.

Përcaktimi i ulëseve për grupet e tjera do të bëhet në vijim.

Aktualisht, sipas partive në negociata, janë dy skenarë për seancën konstituive. Skenari i parë është ai i konstituimit të këtij institucioni, por që do ta komplikonte edhe më shumë arritjen e marrëveshjes për qeverinë, kurse i dyti, ai i shpalljes së pauzës deri në arritjen e marrëveshjes LVV-LDK. Skenari i dytë ishte aplikuar më 2014, kur konstituimi i Kuvendit kishte zgjatur me muaj.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton që Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin kur nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Bazuar në Kushtetutë, kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Kuvendi ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.

Pas konstituimit të Kuvendit, kurdo që të ndodhë, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës

Neni 95 i Kushtetutës e parasheh formën e zgjedhjes së Qeverisë. Aty thuhet se pas zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0