Revanshohet Hamza: Nuk rishikon buxhetin, rrezikohen pagat me rritje (Dokument)

Revanshohet Hamza: Nuk rishikon buxhetin, rrezikohen pagat me rritje (Dokument)

Gjatë seancës së Kuvendit javën e kaluar, ministri i financave Bedri Hamza deklaroi se këtë vit nuk do të ketë rishikim të buxhetit.

Këtë gjë për EkonomiaSot e kanë konfirmuar zyrtarisht edhe nga ministria e financave “Ashtu siç ka theksuar edhe në Kuvendin e Kosovës ministri Bedri Hamza, nuk do të ketë rishikim të Buxhetit”.

Mos rishikimi i buxhetit nënkupton se kufinjtë buxhetor për kategoritë e shpenzimeve do të mbesin të njëjtë. Kjo gjë vlen edhe për pagat të cilat u rritën me vendim të Qeverisë, pa qenë të përfshira në buxhet paraprakisht.

Sa i përket kësaj kategorie, ministria e financave në përgjigjen e saj ka shkruar se “për pagesat shtesë sipas vendimeve të Qeverisë, veprohet sipas Nenit 16 të Ligjit të Buxhetit ku jepet mundesia që të ketë levizje në buxhet në masën prej 5%. Gjithashtu, do të shihet mundësia që në tremujorin e fundit të vitit të gjenden kursime dhe të bëhen harmonizime aty ku është e mundshme për të adresuar obligimet, në përputhje me Ligjin e Buxhetit dhe Ligjin për Menaxhimiin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Mirëpo vendimi për rritjen e pagave tejkalon hapësirën manovruese prej 5% që lejohet me Ligjin e Buxhetit. Disa paga, sikur ajo e Kryeministrit u rritën madje për 100%. EkonomiaSot mëson se nëse nuk ka rishikim të buxhetit, atëherë do të jetë e pamundur që të sigurohet dhënia e pagave me rritje deri në fund të vitit dhe kjo do të shkaktojë probleme.

Ligji i Buxhetit: Numri i punëtorëve dhe buxheti i miratuar për 2018, për Zyrën e Kryeministrit dhe Kabinetin e Kryeministrit.

Nga tabela e buxhetit më lartë shihet se buxheti i miratuar është paraparë me nivelin e vjetër të pagave, pra nuk është paraparë rritja. Për Zyrën e Kryeministrit paga mesatare del 717 euro/muaj, kurse për Kabinetin e Kryeministrit paga del vetëm 421 euro/muaj.

Redaksia gjithashtu është interesuar të dijë nëse ka ndonjë plan se si do të sigurohen mjetet për pagesën e 53 milionë eurove, për të cilat qeveria i detyrohet Bechtel&Enka-s, mirëpo në lidhje me këtë temë nuk kemi marrë përgjigje nga ministria e financave. Në mungesë të rishikimit, edhe ky shpenzim do të jetë vështirë të akomodohet brenda kufinjëve ekzistues të buxhetit, dhe Kosova rrezikon që të dënohet përsëri nga Bechtel&Enka.

Rishikimi i buxhetit zakonisht bëhet në muajin korrik, dhe ka për qëllim përshtatjen e buxhetit varësisht se si ka rrjedhur dinamika e grumbullimit të të hyrave dhe shpenzimit të mjeteve buxhetore. Në të kaluarën ka ndodhur edhe një rast kur nuk ka pasur rishikim të buxhetit, e ai ka qenë viti 2012, kur në koalicion ishin PDK-AKR-Minoritetet. /EkonomiaSot

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0