Sirena e frikshme e trenit

Sirena e frikshme e trenit

Bashkë me qindra qytetarë, treni i nisur nga Mitrovica ka çuar në Bllacë edhe qindra dëshmi lufte 20 vjet pas përfundimit të saj. Të mbijetuarit e luftës ua kanë rrëfyer të njohurve e të panjohurve historitë personale e familjare të tmerrit të vitit 1999.

Pleqtë dhe nxënësit kanë stërmbushur vagonët e trenit. Askush nuk ka prerë biletë në trenin e lëshuar kastile nga Hekurudha e Kosovës për t’i dërguar në luginën e Lepencit në kufi me Maqedoninë Veriore.

Aty është vënë të mërkurën guri themeltar i muzeut të gjenocidit serb, “Bllaca 99”, në shenjë përkujtimi për eksodin e vitit 1999, shkruan sot Koha Ditore.

“Përjetësisht në memorien shqiptare”, shkruan në trenin muze, të vendosur ndanë hekurudhës që lidh dy vendet. Tendat e improvizuara, ku të gatshëm për ndihmë ishin kujdestarët vullnetarë të lindur në liri, ua kanë kthyer Bedrije Makollit e Shaqir Shaqirit pamjet e kampit të improvizuar.

“20 vjet – Gjenocidi serb”, shkruan gjithashtu në trenin që kishte bartur refugjatët prej stacionit të trenit të Hanit të Elezit deri në afërsi të kufirit, tregon një punëtor hekurudhash. Kanë kaluar 20 vjet prejse Shaqiri, mësimdhënës në pension, dhe Makolli, mësimdhënëse në shkollën fillore “Elena Gjika” në kryeqytet, kishin hipur në tren, në Kosovë.

Treni i prillit të vitit 1999 i çoi dhunshëm si refugjatë në kufi. Vullnetarisht morën trenin e së mërkurës për t’iu kthyer Bllacës, ku do të ndërtohej një qendër përkujtimore.

Dy udhëtime krejt të ndryshme për 20 vjet

Ata ishin në mesin e mbi 400 mijë shqiptarëve, të cilët me e pa karton refugjati do të kalonin në shtetin fqinj. Lumi i rrëmbyeshëm do t’i bartte shumë sish të vdekur matanë kufirit, derisa dhjetëra mijëra shqiptarë prisnin përditë në zonën e ndërmjetme, mes shpresës dhe tmerrit.

Çdo stacion, fshat a qytet bëhet shkas për të nisur një histori lufte, derisa treni i nisur nga Mitrovica e ndarë e ka përshkuar rrafshin e Kosovës për të gjarpëruar nëpër grykën e Kaçanikut.

“A p’e sheh, sirena më frikëson”, thekson Shaqiri, pasi i hidhet trupi përpjetë kur makinisti paralajmëron ndaljen në njërin prej stacioneve pa hyrë në Kaçanik. Lëshon trupin në karrige. Nuk mbahet e shkrehet në vaj. Me cepin e shallit kuqezi, me dorën e majtë, fshin syrin e djathtë. Në setër ka dinstiktin e flamurit kuqezi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0