Sindikatat në sektorin privat, formimi i tyre rrezikon vendet e punës

Sindikatat në sektorin privat, formimi i tyre rrezikon vendet e punës

Besa (emri i vërtetë i njohur për redaksinë) ka përfunduar Fakultetin Filologjik në Prishtinë, dega e Gjuhës Shqipe, por ka tre vjet që në mungesë të një vendi pune në profesionin e saj, ajo punon në një dyqan në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Ajo thotë se nuk e preferon sektorin privat për shkak të pagës dhe trajtimit që u bëhet punëtorëve. Për punën që bënë, e cila sipas saj zgjatë shpesh edhe më gjatë se tetë orë sa parashihet me orarin e punës si dhe punon jo pesë, por gjashtë ditë në javë, paguhet me 250 euro në muaj.

Besa thotë se ka aplikuar në disa konkurse në sektorin publik, por nuk ka arritur të sigurojë një vend pune.

“Unë punoj në një market (dyqan), ku janë kushtet jo të mira, me pagë minimale, me presion psikik nga menaxherët. Edhe unë, por edhe kolegët mundohemi që të gjejmë punë në sektorin publik, që të kemi pagë më të mira, kushte më të mira dhe mos të kemi presione të tilla siç kemi në sektorin privat”, thotë ajo.

Nga hulumtimet e bëra nga përfaqësues të cilët mbrojnë të drejtat e punëtorëve, ishte theksuar se sektori privat është shkelësi më i madh i të drejtave të punëtorëve.

Kushtet në sektorin privat vazhdimisht janë kritikuar edhe nga shoqëria civile dhe përfaqësues të punëtorëve. Por, kohëve të fundit ankesat janë shtuar, pas miratimit të Ligjit për Pagat i cili parasheh rritjen e pagave për punonjësit në sektorin publik nga muaji dhjetor, 2019.

Pagat më të larta, trajtimi i punëtorëve si dhe kontratat më të favorshme, janë disa nga arsyet që përmenden nga punëkërkuesit dhe sindikalistët si elemente që e bëjnë sektorin publik më të pëlqyer për t’u punësuar.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se paga mesatare e punonjësve në sektorin privat aktualisht është 250 euro në muaj. Sipas tij, kjo pagë duhet të arrijë në 350 euro në muaj. Ai thotë se rritja e pagave në sektorin publik po krijon mospërputhshmëri të pagave mes sektorit publik dhe privat.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0