Sindikatat i kërkojnë Kushtetueses vendim të shpejtë për Ligjin për paga

Sindikatat i kërkojnë Kushtetueses vendim të shpejtë për Ligjin për paga

Sindikatat e Arsimit, Shëndetësisë, Policisë, Doganës dhe Zjarrfikësve, pas një takimi që kanë pasur me Avokatin e Popullit kanë kërkuar nga ai që të bëjë kërkesë për revokim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Paga.

Sipas një njoftimi nga këto sindikata, Avokati i Popullit ka potencuar se s’ka qenë kërkesë e tij ndryshimi i koeficienteve në Ligjin e Pagave, por ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese kushtetutshmërinë e disa neneve të këtij ligji.

Duke u gjendur në situatë të tillë, këto sindikata kanë bërë të ditur se sot kanë marrë vendim që t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese me kërkesën e vetme që të marrë në konsideratë “brengën e mbi 60000 të punësuarve në sektorin publik”.

“Kërkesa ka të bëjë me revokimin e vendimit të lartcekur apo shpejtimin e shqyrtimit të neneve të caktuara të këtij ligji, siç edhe ka potencuar Avokati i Popullit, në mënyrë që ligji të fillojë së implementuari. Po ashtu njoftojmë opinionin e gjerë se këto sindikata përmes organizatave simotra nga Evropa janë duke punuar qe t’i adresohet edhe Komisionit të Venecias pasi i njëjti do të këshillohet nga Gjykata Kushtetuese. E gjithë kjo bëhet me qëllim që të ruhet paqja sociale e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: