Sindikata del kundër privatizimit të Telekomit

Sindikata del kundër privatizimit të Telekomit

Federata Sindikale e Telekomit është kundër privatizimit të kësaj ndërmarrje. Kryetari i kësaj sindikate, Lami Balaj pozicionin kundër privatizimit e ka thënë në ndërtesën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik pas takimit me ministrin Valdrin Lluka.

“Për ne si sindikatë as nuk është rend dite privatizimi, unë besoj që privatizimi nuk ka me ndodhë njëherë, arsyet sepse njëherë ka me ndodh ristrukturimi, investimi dhe nuk mundet me shku një fazë e menjëhershme. Ne jemi kundër privatizimit se nuk ka nevojë. Çështja e privatizimit për ne si sindikatë për momentin është e mbyllur dhe as që diskutohet”, ka deklaruar Balaj.

Sipas tij, ristrukturimi i Telekomit duhet të ndodhë sepse ka plot kompani që kanë përfituar prej Telekomit në emër të investimeve dhe sindikata e përkrahë fazën e ristrukturimit.

Ndërsa ministri Lluka tha se në këtë takim u diskutua për të ardhmen e Telekomit dhe planin e vitit 2019.

“Sot kishim një takim të përbashkët me sindikatën e Telekomit, në të cilin diskutuam për të ardhmen e Telekomit dhe brengat e përbashkëta. Diskutuam gjithashtu edhe për planin e vitit 2019 rreth Telekomit, fazat e ristrukturimit që tashmë veç jemi futur në këtë fazë që ka qenë edhe vendim i qeverisë, për komitetin për privatizim i cili nuk ka të bëjë enkas për privatizim, por që është më e rëndësishme është për ristrukturimin e Telekomit pra një fazë që futemi menjëherë”, ka thënë Lluka.

Sipas tij, më e rëndësishmja e këtij takimi, është që punëtorët e Telekomit të përfshihen në ristrukturim dhe të përfaqësohen në mënyrë të duhur në vendimmarrje.

Ditë më parë me vendim të kryeministrit, ka filluar procesi i përgatitjes për privatizimin e Telekomit.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0