Shteti francez i jep mbështetje Tahirit për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Shteti francez i jep mbështetje Tahirit për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Ministrja e Drejtësisë e Francës, Nicole Belloubet, ka mbështetur kërkesën e ministrit të Drejtësisë të Kosovës, Abelard Tahiri, që t’i bëjë presion shtetit serb për hapjen e arkivave dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Këtë gjë e bëri të ditur vetë ministri Tahiri në një postim në Facebook, ku tregoi se letra e homologes franceze është përgjigje në kërkesën që vitin e  kaluar, i pari i ekzekutivit të vendit e kishte drejtuar tek të gjithë ministrat e Drejtësisë të vendeve të Bashkimit Evropian.

“Personat e zhdukur nga lufta në Kosovë, janë plagë e rëndë jo vetëm për familjarët por për gjithë shoqërinë tonë dhe kjo temë që rëndon mbi supet tona duhet të marrë një epilog. Në referencë të kërkesës sime drejtuar homologëve të vendeve të Bashkimit Evropian, për të shtuar presionin ndaj Serbisë që të hapë arkivat dhe të jap çdo informacion në lidhje me fatin e personave të zhdukur, sot kam pranuar një letër nga Ministrja e Drejtësisë e Francës, znj. Nicole Belloubet, përmes së cilës kam marrë mbështetje të plotë dhe të tërësishme në kërkesën time” ka shkruar Tahiri.

Tahiri ka shfrytëzuar këtë rast që edhe njëherë të ftoj vendet e BE-së që me prioritet të trajtojnë këtë çështje të rëndësishme, jo si temë politike, por si përkushtim mbi bazën e humanizmit.

“Jam tejet falënderues ndaj Ministres Belloubet që iniciativa ime ka gjetur mbështetje të gjerë dhe me këtë rast, sërish ftoj vendet e Bashkimit Evropian për ta trajtuar me prioritet këtë çështje të rëndësishme për shoqërinë tonë. Gjithashtu ftoj shtetin serb që të reflektojë seriozisht dhe të marrë përgjegjësitë e veta ndaj kësaj kërkese. Kjo nuk duhet parë si temë politike, por si një përkushtim mbi bazën e humanizmit, sepse është e drejtë themelore e familjarëve për të ditur mbi fatin e më të afërmeve të tyre dhe Republika e Serbisë ka përgjegjësi ndaj kësaj çështje” ka shkruar në fund Tahiri.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0