Shqipëria e Maqedonia treg i vështirë për prodhimet e Kosovës

Shqipëria e Maqedonia treg i vështirë për prodhimet e Kosovës

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha tha se bizneset e Kosovës po ndeshen me sfida të ndryshme në eksportin e produkteve të tyre në Shqipëri dhe Maqedoni.

“Bilanci tregtar i Kosovës është negativ dhe shumë i madh. Kosova tani prodhon produkte shumë cilësore dhe mund të eksportojë shumë produkte. Kosova tani më lehtë eksporton në vendet e BE-së se sa në Maqedoni dhe Shqipëri.

Në këto dy vende ka barriera të ndryshme, jo të arsyeshme. Këto barriera duhet të hiqen”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Ai ka marrë shembuj të dy shteteve se si po i nxjerrin probleme produkteve të Kosovës. “Ka produkte të Kosovës që po kanë shumë problem të jenë në tregun shqiptar, p.sh produkti i birrës dhe i patates. Jemi një komb dhe kemi një gjuhë, por kur po vjen tek tregtia po ka shumë probleme”, theksoi ai.

Panxha vlerësoi se produktet e Shqipërisë dhe Maqedonisë po plasohen shumë lehtë në tregun e Kosovës.

“Ne po kërkojmë të ketë trajtim të barabartë të prodhimeve të Kosovës sikur ato. Për fat të keq po kemi probleme të njëjta vit pas viti, me këto dy shtete”, tha ai.

Sipas tij nëse vazhdon një politikë e tillë ndaj Kosovës, duhet të ketë reciprocitet. “Duhet të ketë masa edhe ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë”, deklaroi  drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0