Shpallen të pafajshëm përfaqësuesit e HIB-it për naftën në shkolla, Ahmeti i zhgënjyer

Shpallen të pafajshëm përfaqësuesit e HIB-it për naftën në shkolla, Ahmeti i zhgënjyer

Bujë të madhe kishin bërë akuzat e Komunës së Prishtinës në vitin shkollor 2014-2015, se nafta për ngrohje në shkollat e Prishtinës, është jocilësore.

43 institucione arsimore ishin mbyllur atë kohë me urdhër të kryetarit Shpend Ahmeti, pasi që në 3 mostra që kishin marrë zyrtarët komunalë, niveli i squfurit në naftë kishte dalë të jetë 60 herë më i lartë sesa normalja e lejuar, raporton KTV.

Pas kësaj, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për përfaqësues të kompanisë Hib Petrol, që furnizonte me naftë shkollat.

Në maj të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar Kujtim Bucaliun, përfaqësues i HIB Petrol-it, me 4 vjet burg dhe 15 mijë euro gjobë.

Ndërkaq, përfaqësuesit juridik të HIB Petrol-it, Shkelzen Hetajt gjykata i shqiptoi gjobë në vlerë prej 30 mijë eurosh.

Derisa mbrojtja e tyre ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e kishte kthyer lëndën sërish në shkallën e parë.

E, të premten, Bucaliu dhe Hetaj janë shpallur të pafajshëm.

“Ne, si mbrojtës, gjithmonë kemi besuar në pafajësinë e klientëve tanë dhe të gjitha provat të cilat janë administruar nga ana e gjykatës, i kanë vërtetuar pretendimet tona, të cilat i kemi theksuar që nga viti 2015, kur edhe ishte ngritur kjo aktakuzë”, kanë deklaruar avokatët mbrojtës, Arianit Koci dhe Granit Vokshi.

Lirimi nga akuzat nuk ka qenë lajm i mirë për kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Nuk më çudit më asgjë në këtë vend. Nuk e kam parë vendimin dhe s’dua të komentoj. Por, prej që është kthyer në Apel lënda, kjo ka qenë e dyshimtë”, ka deklaruar Ahmeti.

Aktualisht, Komuna e Prishtinës ka nisur ndërrim të sistemit të ngrohjes nëpër shkolla, nga ajo me naftë në pelet. Megjithatë, sipas Ahmetit, ende shumë institucione arsimore ngrohen me naftë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0